Sport Hipoteza e çmendur për mbylljen e Champions-it, “final four” në Gjermani?

Hipoteza e çmendur për mbylljen e Champions-it, “final four” në Gjermani?

Futbolli ngadalë po fillon përsëri në Europë. Nëse disa vende kanë vendosur që t’i përfundojnë këtu turnetë e tyre kombëtarë, si Franca, Belgjika dhe Holanda, të tjerë si Gjermania kanë rifilluar tashmë me kampionatet. Ndërkohë, Spanja, Anglia dhe Italia do ta bëjnë këtë në javët në vazhdim. UEFA, gjithashtu, nuk ka ndërmend të ndalojë me kompeticionet e saj. Qëllimi është që të gjitha ndeshjet e Champions-it dhe “Europa League” të luhen dhe të përfundojnë deri më 31 gusht.

Situata pandemike është padyshim në fazën e evolucionit dhe askush nuk mund të parashikojë nëse do të ketë apo jo një ngritje të re të kurbës së Covid-19. Për këtë arsye, siç raporton “Sky”, në ditët e fundit ka pasur shumë biseda në selinë e UEFA-s dhe ECA-së për hipotezat e reja, nëse situata e infeksionit përkeqësohet sërish në kontinent. Aty është diskutuar mundësia e miratimit të një formule alternative për mbylljen e Ligës së Kampionëve.

Ideja është që të luhen ndeshjet e 1/8 finale, fillimisht, të cilat do të rikuperohen midis 7 dhe 8 gushtit, pastaj çerekfinalet të vijojnë me nga një sfidë të vetme (jo vajtje-kthim) më 13 dhe 14 gusht, në fushë neutrale; për të kaluar më pas në një “final four” me gjysmëfinalistët. Kjo është hipoteza e çmendur që po qarkullon së fundi dhe mbrohet nga shumë zyrtarë. Nëse deri më tani është folur për Stambollin (vendin e paracaktuar të finales së Champions-it), si qyteti që do ta presë këtë fazë revolucionare të finales së turneut, tani po diskutohet edhe për një plan B: “Final Four” të zhvillohet në Gjermani.

Kjo hipotezë do të bëhet realitet nëse situata shëndetësore në Turqi nuk ofron garancitë e duhura.

Shumë klube do të bënin presion që edhe çerekfinalet (me një ndeshje të vetme) në fushë neutrale të luhen në Gjermani. Kjo për shkak se Bundesliga dhe mënyra në të cilën ajo arriti të rifillojë, ka demonstruar me ngulm se sistemet sanitare gjermane ofrojnë kushte të shkëlqyera të sigurisë.