Ekonomi Hiqet taksa për pensionistët e huaj/ Masa për të lehtësuar qëndrimin e...

Hiqet taksa për pensionistët e huaj/ Masa për të lehtësuar qëndrimin e tyre në Shqipëri

Qeveria do të heqë taksat për të gjithë pensionistët e huaj që vijnë të jetojnë në Shqipëri duke shpresuar se kjo masë do të ndihmojë ekonominë.

Përmes një drafti të iniciuar nga ministria e diasporës, këshilli i ministrave ka çuar për votim në kuvend heqjen e tatimit mbi të ardhurat nga pensionet për një sërë kategorish të shtetasve të huaj.

Për pensionistët e vendeve të BE që vijnë të jetojnë në Shqipëri tatimi mbi të ardhurat hiqet me marrjen e lejes së qëndrimit. Për pensionistët e vendeve të tjera jashtë BE-së, kjo lehtësirë përfitohet me marrjen e nënshtetësisë shqiptare.

Sipas draftit, përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat përfitojnë edhe shtetasit me origjinë shqiptare që marrin pension nga një vend i huaj, por që jetojnë në Shqipëri duke përfshirë dhe emigrantët.

Vitet e fundit Shqipëria është shndërruar në një vend tërheqës për pensionistët nga vendet e pasura, veçanërisht Italia. Shumë të moshuar italianë, të cilët marrin pension nga shteti i tyre vijnë të jetojnë në Shqipëri për shkak të kostos së ulët të jetesës.

Por veç italianëve, Ministria e Financave thotë se së fundmi ka interes të madh edhe nga vendet nordike. Shumë të moshuar nga këto vende kanë nisur të blejnë prona në bregdetin shqiptar të joshur nga klima e mirë dhe kostoja e ulët e jetesës.

Drafti i qeverisë synon që të nxisë më shumë turizmin e të moshuarve drejt vendit tonë, në një kohë kur Shqipëria përballet me emigrim konstant veçanërisht të të rinjve, që vendosin të largohen kryesisht drejt vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë./Top Channel/