Kulturë HISTORI/ Rruga e përgjakshme e Augustit drejt lavdisë

HISTORI/ Rruga e përgjakshme e Augustit drejt lavdisë

Adrian Goldsworthy, autori i biografisë së re të Augustit, zbulon se si trashëgimtari adoleshent i Jul Çezarit ndoqi rrugën drejt pushtetit.

Përpara vdekjes së tij 2000 vjet më parë në gusht të vitit 14, perandori romak Augusti bëri një deklaratë politike e cila tregonte etjen e tij të pashuar për pushtet. “Në moshën 19-vjeçare me përgjegjësinë time dhe shpenzimet e mia ngrita një ushtri, me të cilën përkraha me sukses lirinë e republikës, kur ajo ishte e shtypur nga tirania”.

Idetë e tij filluan të dilnin kur diktatori romak Jul Çezari u vra nga të vetëshpallurit “çlirimtarë”. Pikërisht në funeralin e Çezarit u zbulua stërnipi i tij August – që atëherë quhej Caius Octavius.

Adoleshenti i asaj kohe zgjodhi ta interpretonte këtë trashëgimi si miratim të plotë, dhe deklaroi se synonte të kalonte jo vetëm emrin dhe pasurinë e Çezarit, por edhe të kishte sukses në zyrën e tij të lartë. Nuk ishte kjo mënyra se si politika punonte normalisht në Romë, por ato kohë ishin të trazuara, me sistemin e vjetër republikan të gjyqtarëve të zgjedhur të shkatërruar pas dekadash të dhunshme nga lufta civile.

Augusti i ri, përdori paratë dhe emrin e Çezarit për të filluar ngritjen e një ushtrie me ushtarë në shërbim apo ish-ushtarë. Mark Antoni (një nga vartësit kryesorë të Çezarit) filloi të mbledhë të njëjtët njerëz pranë vetes dhe nuk e mori shumë seriozisht rivalin e tij të ri.

Një senat i nxitur nga oratori i famshëm Ciceroni e shikonte Antonin si një kërcënim të madh dhe kishte frikë nga qëllimi i tij për ta marrë pushtetin me forcë. Në një sistem politik ku një burrë duhet të ishte tek të 40-at përpara se të kërkonte zyrat më të larta të shtetit, një 19-vjeçar pa të shkuar politike dukej se përbënte një rrezik të vogël. Ciceroni pa një adoleshent në krye të legjioneve të ushtarëve veteranë dhe vendosi se ai mund të ishte i dobishëm. Ata duhet “ta lavdërojnë të riun, ta shpërblejnë atë, dhe më pas të heqin dorë nga ai”.

Në fillim gjithçka shkoi mirë, kur veteranët e Augustit luajtën një rol kyç në mposhtjen e Antonit. Por heqja dorë nga Augusti, provoi të ishte diçka e vështirë, për ushtarët që i shërbyen atij dhe jo senatit. Ndërkohë Antoni u bë aleat me një tjetër mbështetës të vjetër të Çezarit, Lepidusin, dhe kështu u bë më i fortë se kurrë. Augusti tani vendosi t’u bashkohej atyre, kështu të gjithë mbështetësit e diktatorit dhe ushtarët ishin në të njëjtën anë, të paktën për momentin. Ata krijuan një bord me tre gjykatës supremë për të rivendosur shtetin, dhe në një farë mënyre krijuan një diktaturë të përbashkët.

Gjëja e parë e parë që triumvirati bëri ishte urdhërimi i vrasjes së kundërshtarëve të shquar, përfshi këtu edhe Ciceronin. Duke marshuar pa kundërshtarë në Romë, ata treguan një listë me emrat e personave që ishin jashtë mbrojtjes së ligjit. Nëse dikush sillte kokën e prerë të një njeriu të ndaluar, autoritetet e shpërblenin me një pjesë të pronës së viktimës.

Disa nga të shënuarit në listë arritën të arratiseshin jashtë vendit, por qindra prej tyre vdiqën. Në vitet e mëvonshme kishte ngjarje të shumta me vdekje të zymta, arratisje e tradhti.

Shumica ishin të habitur për faktin që Augusti kishte kaq shumë armiq që donte t’i vriste. Në vitet që pasuan, reputacioni për mizoritë e tij të tepruara bëri që lutjet e njerëzve për mëshirë të ktheheshin në thirrje: “Ti duhet të vdesësh”.

Antoni dhe Augusti morën një ushtri për në Greqi dhe mposhtën dy nga vrasësit e Çezarit, Brutus dhe Kasius në vitin 42 para Lindjes së Krishtit. Antoni mori shumicën e krediteve në fitoren e luftës dhe i trajtonte aristokratët e zënë rob me respektin e duhur.

Aleanca mes Antonit, Augustit dhe Lepidus ishte gjithnjë e bazuar në interesin e vetvetes dhe tensionet u shtuan në vitet që pasuan. Ajo mezi i mbijetoi një rebelimi të udhëhequr nga vëllai i Antonit, Luço, kundër Augustit. Në vitin 36 para Krishtit, treshja aleate mbeti me dy pas marxhinalizimit të Lepidusit. Augusti e mbajti atë në një robëri të rehatshme për pjesën e mbetur të jetës, një gjest që përfshinte mëshirën dhe mizorinë duke zgjatur poshtërimin e një njeriu ambicioz.

Të shpronësuarit

Mark Antoni u vu në krye të provincave të Romës dhe aleatëve në Mesdheun lindor pas përplasjes në Filipi. Augusti qëndroi në Itali ku u premtoi ferma si shpërblim ushtarëve besnikë të triumviratit aleat të asaj kohe.

Pasuritë e njerëzve të ndaluar ishin të pamjaftueshme, dhe gjithnjë e më shumë konfiskime u imponuan në mënyrë arbitrare në qytetet e Italisë. Duke qenë se vendasit vuajtën shumë, ata bënë që poeti Virgjili të shkruante për gjendjen e të shpronësuarve.

Augusti mori pjesën më të madhe të fajit për konfiskimet në një Itali të rraskapitur nga lufta civile dhe të dëshpëruar për stabilitet. Kur marrëdhëniet me Antonin u ndërprenë, ishte më mirë t’i hapej luftë një kërcënimi të huaj, dhe kështu Kleopatra, mbretëresha e Egjiptit, u njoh si një joshëse djallëzore, që shthuri një fisnik romak, dhe e ktheu atë kundër popullit të vet. Në vitin 41 para Krishtit Mark Antoni pati një lidhje me mbretëreshën e Egjiptit. Privatësisht disa u mashtruan, por publikisht “e gjithë Italia” ishte në anën e Augustit për të shpëtuar Romën nga kërcënimi i saj.

Marrëdhëniet mes dy “aleatëve” të mbetur u përkeqësuan, dhe në vitin 31 para Krishtit, të dy u përplasën në betejë në Greqi. Ushtria e Antonit u mposht, dhe ai vrau veten një vit më vonë.

Me Antonin e vdekur, 33-vjeçari August nuk pati shumë rivalë të tjerë, deri kur kërkoi të monopolizonte forcat ushtarake. Por kjo nuk do të thoshte që njeriu që me forcë kishte fituar pushtetin absolut ishte i sigurt nga thikat e vrasësve, apo se do të ishte e lehtë të krijonte një regjim të qëndrueshëm.

Afeksioni për Augustin ekzistonte, por romakët e të gjitha klasave ishin të dëshpëruar për paqe, dhe shpresonin që të paktën të jetonin pa frikën e të qenit pjesë në listën e të ndaluarve apo të konfiskoheshin. Paqja dhe virtytet e thjeshta të një kaluare të idealizuar dhe tanimë të restauruar dominonin artin dhe letërsinë e atyre viteve. Nuk është rastësi që një nga monumentet më goditëse të epokës së Augustit është Altari i Paqes.

Paqja që Italia gëzoi nuk do të thoshte që Roma nuk ishte më në luftë. Në të njëjtën kohë, Augusti korri fitore pas fitoreje ndaj udhëheqësve dhe njerëzve të huaj, duke i shtuar shpesh territorin perandorisë së tij.

Augusti e prezantoi veten si shërbëtor i madh i shtetit duke mposhtur armiqtë e jashtëm. Ai gjithashtu u mor me zgjidhjen e problemeve të lëna pas dore në Senatin e Republikës. Roma vetë ishte e ripërtërirë ‘fizikisht’. Augusti e gjeti qytetin me tulla dhe e la atë me mermer. Kishte monumente për lavdinë e tij, por shumica e tyre ishin gjëra e pajisje praktike si kanalizime, burime, ujësjellësa, vaska shtëpie, tempuj Zotash që mbronin popullsinë romake, teatro e cirqe.

Jeta ishte më e qëndrueshme nën pushtetin e Augustit, dhe shumë më e rehatshme për shumicën e popullit. Emri dhe imazhi i Augustit ishte kudo. Koha luajti një rol të rëndësishëm. Augusti sundoi për 40 vjet pas vdekjes së Antonit, dhe të gjithë u mësuan me udhëheqjen e tij dhe sistemin që kishte krijuar. Nuk ekzistonte ndonjë dëshirë për të zëvendësuar paqen e momentit me kthimin e dhunës.

Falë rimëshërimit si Njeri i Paqes, Augusti – perandori i parë i Romës, do të kujtohej për shekuj me radhë si më i miri.

Jeta e Augustit në vite

23 shtator viti 63 para Krishtit

Augusti lindi me emrin Caius Octavius. Babai i tij ishte anëtar i zotërinjve të vendit dhe i pari në familje që hyri në Senatin e Romës. E ëma e tij ishte mbesa e Jul Çezarit. Por nuk ishte kjo arsyeja që e bëri Augustin të kishte një karrierë të jashtëzakonshme.

15 mars 44 para Krishtit

Në ditën që Jul Çezari u vra, Augusti ishte në Greqi duke marrë mësime ushtarake. Pak ditë më vonë u mësua se Çezari kishte nominuar Augustin si trashëgimtarin e tij kryesor.

Viti 43 para Krishtit

Pasi ngriti një ushtri të vetën dhe ndihmoi Senatin të mposhtte rivalin e tij të madh Antonin, Augusti ktheu ushtrinë e tij në Romë dhe kërkoi të zgjidhej konsull. Pak më vonë, ai iu bashkua Antonin dhe Lepidusit duke formuar triumviratin.

Viti 36 para Krishtit

Duke u bazuar në aftësitë e shokut të tij Agripa, Augusti mposhti flotën e Pompeit. Ky i fundit së bashku me një nga shoqëruesit e tij bënë vetëvrasje.

2 Shtator 31 para Krishtit

Augusti, edhe njëherë tjetër duke u mbështetur sërish tek miku i tij Agripa që drejtonte forcat e tij ushtarake, mposhti Antonin në betejën në brigjet e Greqisë. Brenda një viti pas mposhtjes ai dhe Kleopatra vranë veten.

16 janar 27 para Krishtit

Trashëgimtarit të Çezarit, Augustit iu dha emri Kryekomandant Çezar Augusti në nderim të shërbimeve të tij ndaj shtetit.

Vitit 23 para Krishti

Augusti u sëmur dhe nuk pritej të mbijetonte. Por megjithatë nuk emëroi një pasues në pozicionin e tij. Me kalimin e kohës arriti ta marrë veten.

Viti 2 para Krishtit

Augusti u emërua Baba i Vendit të tij nga Senati. Më vonë plasi skandali në familjen e tij, kur ai dëboi Xhulian (në foto), fëmijën e tij të vetëm, për tradhti bashkëshortore. Augusti adoptoi dy bijtë e saj, por të dy vdiqën të rinj.

19 gusht viti 14 pas Krishtit

Augusti vdiq në vilën familjare në Nola. Më vonë dolën zëra se ai u helmua nga bashkëshortja e tij, Livia, (në foto) që kishte frikë se mos ai ndryshonte pasardhësin e tij. Trupi i Augustit u dërgua në Romë dhe pas funeralit publik, ai u shpall Zot./ Historyextra