Sport Histori spiunazhi te Milani, Fassone përndiqte gazetarët

Histori spiunazhi te Milani, Fassone përndiqte gazetarët

Spiunazhi shfaqet te Milani. Sipas të përditshmeve italiane “La Repubblica” dhe “Il Sole 24 Ore”, ish-administratori i deleguar i kuqezinjve, Marco Fassone, gjatë periudhës që ishte në këtë detyrë u vu në kërkim të një spiuni, e për këtë arsye nisi ndjekjen e 4 gazetarëve.

Bëhet fjalë për Enrico Curro e Luca Pagni të “La Repubblica”-s, Carlo Festa të “il Sole 24 Ore”, si dhe Tobia Di Stefano të “Libero”-s.

Gjithçka ndodhi vitin e kaluar, më konkretisht në periudhën 19 shkurt-2 mars, dhe është dokumentuar në dosjen e Milanit që iu prezantua Gjykatës së Milanos, në çështjen e ngritur mes klubit dhe Fassones, me këtë të fundit që ngriti padi kundër kuqezinjve.

Mësohet se Fassone i ishte drejtuar agjencisë investigative “Carpinvest” për të bërë mbrojtjen e markës së Milanit, ndjekjen e gazetarëve, si dhe kontrollin e telefonave “smart” dhe tabletëve të punonjësve të klubit. Për këta të fundit u bë kërkesë edhe te “Telecom”. Mësohet gjithashtu se, Fassone ka shpenzuar 74 mijë euro për të gjithë këtë.