Extra Historia e Jeff Bezos, si krijoi një perandori nga garazhi i shtëpisë

Historia e Jeff Bezos, si krijoi një perandori nga garazhi i shtëpisë

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, është njeriu i dytë më i pasur në botë. Sipas Bloomberg, pasuria e tij neto shkon në 196 miliardë dollarë. Bezos u lind në New Mexico, në vitin 1964 nga dy prindër adoleshentë.

Ai studioi për shkenca kompjuterike dhe inxhinieri elektrike dhe pas diplomimit, pati një karrierë të suksesshme në Wall Street, ku punoi për firma bankare dhe investimesh. Megjithatë askush nuk do të fliste për të nëse ai nuk do të braktiste një punë të paguar shumë mirë për t’i besuar idesë së tij brilante, që revolucionoi botën dhe u bë një fenomen global dhe histori suksesi me emrin Amazon.

“Unë braktisa një vend pune të qëndrueshëm në Wall Street për të hyrë në një garazh në Seattle, për të themeluar Amazon, duke e ditur fare mirë se mund të mos funksiononte. Më duket sikur kjo ka ndodhur dje, unë çoja pakot në postë vetë me ëndrrën se një ditë ne do të mund të përballonim të blinim një Pirun për t’i ngritur ato.”

Nga garazhi i shtëpisë në ngritjen e një perandorie, kjo duket se është historia e njeriut të dytë më të pasur në planet, i cili, në vitin 1994, themeloi kolosin e tregtisë elektronike, Amazon. Praktikisht ai shtroi rrugën drejt blerjeve online.

Bezos e ka zgjeruar rrethin e biznesit duke blerë gazetën prestigjioze Uashington Post, kompaninë Blue Origin me vizionin që të shkurtonte shpenzimet e udhëtimeve në hapësirë, duke i dhënë atij në media titullin si “Padroni i universit”.

Bezos do të mund të kishte qenë akoma edhe më i pasur nëse nuk do të kishte bërë divorcin më të kushtueshëm në histori, kur u nda nga bashkëshortja MacKenzie Scott, korrikun e vitit 2019, të cilës i dha 25 për qind të aksioneve të tij në Amazon, stoqe këto që vlenin 35 miliardë dollarë.

Bezos ka katër fëmijë, njërin prej të cilëve e ka adoptuar në Kinë. Momentalisht është në një marrëdhënie me Lauren Sanchez, ish-prezantuesja e Fox News. Çifti janë shoqëruar publikisht që pas divorcit të miliarderit, por zërat për lidhjen e tyre qarkullojnë që prej vitet 2018 duke pretenduar se mes tyre kishte një lidhje jashtëmartesore.

Përpos suksesit të jashtëzakonshëm, Jeff Bezos hoqi dorë nga të qenit CEO i Amazon-it për t’iu përkushtuar projekteve të tjera, ku kryesorja është ëndrra e tij e fëmijërisë, hapësira.