Kryesore Historia e kalendarit: Si njerëzimi nisi të maste kohën

Historia e kalendarit: Si njerëzimi nisi të maste kohën

Nga kalendarët e egjiptianëve, ai “Julian” e deri te kalendari “Gregorian” që përdorim sot. Si njerëzimi nisi të maste kohën dhe roli i Papëve të Vatikanit në vendosjen e kalendarit.

Në vitin 1267, një fetar anglez i quajtur Roger Bacon shkroi një letër drejtuar Papa Klementit IV, në të cilën ai bënte apel për korrigjimin e një problemi me kohën. Sipas përllogaritjeve të tij, Bacon zbuloi se kalendari i asokohe “Julian” ishte 11 minuta më i gjatë se sa viti diellor. Bacon zbulon se kjo llogaritje ishte e gabuar, për një ditë çdo 125 vjet, që në epokën e tij ishte e barabartë me 9 ditë. Kjo zhvendosje do ta çonte muajin mars në kohët e ftohta të dimrit, dhe Bacon në të njëjtën kohë zbuloi se të krishterët po i festonin Pashkët në një ditë të gabuar, dhe do vazhdonin ta bënin një gjë të tillë derisa kalendari të rregullohej.

Papa Klementi IV vdiq përpara se t’i përgjigjej letrës zyrtare të Bacon dhe të ndryshonte kalendarin “Julian”, prandaj Roger Bacon vdiq pa e parë të riformatuar kalendarin që aq shumë e dëshironte, dhe dukej se gjetjet e tij do të humbnin me kalimin e kohës. Në të vërtetë, gjetjet e Bacon u injoruan për 317 vjet, por nuk humbën. Papa Gregori XII shtroi çështjen e reformimit të kalendarit në vitin 1582, duke na dhënë kalendarin që njeh e gjithë bota sot, atë “Gregorian”. Që nga viti 1917, kur rusët më në fund pranuan të ndjekin kalendarin gregorian, shumica e botës përdor këtë kalendar për të ndjekur ditët, javët e muajt.

Çdo qenie njerëzore e merr falas saktësinë e kalendarit modern. Kalendarët përfaqësojnë përpjekjet e njerëzimit për të kuptuar, konceptuar dhe strukturuar kohën. Kalendari ynë daton mijëra vjet në kohë. Dhe ndërsa ndikimi i saj kryesor është europian, historia e tij i ka ndikimet nga Egjipti, Greqia dhe qytetërimet e mëdha të lashta të Lindjes së Mesme dhe ndoshta edhe nga Epoka e Gurit, njeriut primitiv, i cili ishte i pari që pati idenë 10 mijë vjet më parë të ndiqte ciklet e Hënës dhe ishte i pari që u përpoq të kuptonte dhe strukturonte kohën.

Etimologjia

Fjala “kalendar” është një fjalë angleze, por që vjen nga frëngjishtja e vjetër calendier, e cila edhe ajo e ka prejardhjen nga latinishtja Kalendarium që do të thotë “libër llogarish”.

Kalendari primitiv Hënor

Shembulli më i hershëm i njohur në botë i kalendarit hënor është rreth 10 mijë vjet më parë. Në vitin 2004, arkeologu britanik Vincent Gaffney bëri zbulimin e jetës së tij kur zbuloi një seri prej 12 gropash të mëdha në Aberdeenshire të Skocisë, që imitonin fazat e ndryshme të Hënës. Këto gropa formonin harqe me rreth 50 metra.

Pothuajse çdo qytetërim i lashtë pas njeriu neolitik e ka dashuruar Hënën. Egjiptianët e lashtë e quanin hënën, Zoti Khonsu, ndërsa sumerianët, Nanna. Për grekët e romakët Hëna ishte një perëndeshë që kishte tre “fytyra”: e errët (Hecate), gjysmë (Artemis) dhe e plotë (Luna). Edhe sot disa kultura akoma e festojnë ditën e Hënës, duke organizuar valle, festa e rituale solemne. Myslimanët gjithashtu festojnë hënën e re të Ramazanit, në të cilën agjërojnë gjatë ditës dhe hanë natën.

Nga sumerët deri tek kinezët, Hëna u bë një mjet për përcaktimin e kohës me 12 muaj dhe 354 ditë në vit. Njerëzit filluan të zbulojnë si të ndërtojnë civilizimet e mëdha dhe kështu kërkuan sistemet kalendarike për të ndjekur sistemet qeveritare, ushtarake dhe bujqësore. Por megjithatë, këto kalendarë hënorë nuk mund të merren si të vërtetë. Një muaj i vërtetë hënor është 29.5306 ditë i gjatë i matur me instrumente moderne. Me këto përllogaritje astronomët e hershëm filluan të bënin dallimin e viteve hënore dhe atyre diellore. Nga mungesa e mjeteve moderne, astronomët antikë përpiqeshin të bënin lidhjen mes diellit e hënës për shekuj me radhë por dështuan.

Kompromisi Diello-Hënor

Pavarësisht njohurive të avancuara për astronominë, babilonasit nuk e braktisën kalendarin e tyre hënor. Por kalendarin hënor ata e zëvendësuan me atë diello-hënor. Rreth 432 vjet para lindjes së Krishti, matematikanët babilonas zbuluan se 7 vite diellore ndiqeshin nga 12 vite hënore të barabarta me 19 vite diellore. Kjo më pas u quajt “cikli metonik”, sipas astronomit grek Meton. Por cikli metonik me sistemin 19 vjeçar u provua më vonë të ishte i pasaktë.

Edhe grekët gjithashtu përdorën kalendarin lunisolar, megjithatë kalendarit të tyre i mungonte uniformiteti, dhe disa qytet-shtete kishin metodat e veta për përcaktimin e kohës. Në parim, qytetet greke përdor vitin diello-hënor me 30 e 29 ditë në muaj, me muaj ekstra për t’u përshtatur me stinët. Çdo komunitet kishte Vitin e Ri të vet. Për shembull kalendari spartan lëvizte me dy ditë nga ai athinas.

Qytetërime të tjera të lashta të gatshëm për të hequr dorë nga kalendari hënor, shpikën sistemet e tyre. Sipas legjendave, matematikanët kinezë, nën urdhrat e perandorit Yao, filluan të eksperimentonin me një kalendar që 2357 vjet para Krishtit.

Në shekullin e 21 para Krishtit, sumerët kishin zhvilluar një sistem të ndryshëm bazuar në kalendarin me 360 ditë. Ky sistem bazohej në numrat 6 dhe 60.

Kalendarët egjiptianë

Kalendari egjiptian ishte ndoshta kalendari më i thjeshtë i botës antike dhe pati ndikim të madh sepse struktura e tij ishte pothuajse plotësisht uniforme. Të gjithë muajt kishin 30 ditë dhe viti 12 muaj. Egjiptianët shtonin disa ditë në fund të çdo muaji, në mënyrë që viti të kishte plot 365 ditë.

Kalendari egjiptian është gjithashtu i pari kalendar i regjistruar në bazë të fakteve gjeofizike dhe jo astronomike. Kalendari i parë doli nga përpjekjet e egjiptianëve për të regjistruar përmbytjet e Nilit rreth 4000 vjet para Krishtit. Ndërsa egjiptianët e lashtë regjistronin lëvizjet e Nilit, ata zhvilluan një kalendar me tre stinë me nga 4 muaj secili dhe çdo muaj merrte emrin nga festat që mbaheshin atë muaj: Akhet (përmbytja), Peret (rritja, dimri) dhe Shemu (korrja, vera), Tekhy (hapësi i vitit).

Ndërsa qytetërimi egjiptian përparonte, po ashtu rritej nevoja për shpikjen e një kalendari civil gjithashtu. I prezantuar rreth 2500 vjet para Krishtit, kalendari civil kishte 12 muaj të grupuara çdo katër muaj në tre sezone. Reformimi kalendarik shtoi 5 ditë të tjera që festoheshin si ditët e Perëndive Osiris, Set, Horus, Isis dhe Nepthys sepse egjiptianët nuk e ndjenin që të punonin ato ditë. Pra kalendari i ri civil përmbante 365 ditë dhe ishte i ndarë në 12 muaj, çdo muaj 30 ditë. Ky kalendar ishte i ngjashëm me atë diellor por prapëseprapë nuk ekzistonte një përshtatje e plotë. Edhe pse ata kishin shpikur një kalendar të fiksuar me 365 ditë që korrespondonte me ngjarjet gjeofizike, kishte dallim me kalendarin e lashtë hënor. Megjithatë ky ishte një problem që nuk i shqetësoi egjiptianët për 1 apo për 2 dekada Kalendari civil provoi të ishte një çerek viti më i shkurtër dhe prandaj nuk lidhej me ngjarjet yjore që kalendari supozohej të ndiqte.

Megjithatë, burokratët egjiptianë nuk u treguan të gatshëm të rregullonin vitin e tyre. Prandaj, egjiptianët e zgjodhën problemin duke shpikur një kalendar tjetër. Nga shekulli i 4 para Krishtit, Egjiptianët kishin tre kalendarë në përdorim. Këta tre kalendarë u rregulluan nga zyrtarë fetarë që mbajtën një qëndrim tepër konservator për ndryshimet e bëra. Çdo mbreti egjiptian i kërkohej të betohej përpara se të merrte fronin se nuk do ta ndryshonte kalendarin. Asnjë nga tre kalendarët nuk e zgjidhi problemin e të ashtuquajturit “viti i përçartë”. Klerikët egjiptianë e konsideronin kalendarin e tyre tepër të shenjtë për ta ndryshuar, duke e lënë atë të zhvendosej me 6 orë çdo vit. Kalendari egjiptian mund ta përsëriste veten çdo 1460 vjet. Ky kalendar nuk u ndryshua deri në epokën e Ptolemeut në Egjipt.

Kreditet për zbulimin e vitit diellor që përmban 364 e ¼ ditë iu dhanë autorëve klasikë Eudoksos dhe Knidos, përllogaritjet e të cilëve u përdorën në vitin 239 para erës sonë, nga mbreti aleksandrian Ptolemeu III. Ky i fundit u përpoq të bindte klerikët egjiptianë që të fusnin ditën e brishtë në kalendarin e tyre. Por klerikët nuk e pranuan këtë gjë dhe e injoruan dekretin.

Kjo çështje zgjati deri në vitin 46 para Krishtit, kur u shpik viti Julian me 365 e ¼ ditë në vit për Jul Çezarin. Perandori romak August, mposhti Mark Antonin dhe Kleopatrën në betejën e bregut perëndimor të Greqisë duke aneksuar Egjiptin për Perandorinë Romake. Në vitin 30 para erës sonë, senati romak reformoi kalendarin egjiptian.

Kalendari egjiptian ka pasur ndikim të madh, dhe do të kishte qenë një nga kalendarët më dominues në botë nëse nuk do ndërhynte Roma dhe më pas krishtërimi, që u mundua ta bënte kalendarin julian universal për të gjithë Europën. Ngritja e fesë islame shkatërroi kulturat e mbetura ku përdorej akoma kalendari egjiptian, dhe sot ekziston vetëm në Etiopi.

Ngritja e Perandorisë Romake dhe Kalendarit Julian

Kalendari romak akoma formon thelbin e kalendarit tonë perëndimor (gregorian). Kalendari i hershëm romak, tradicionalisht i atribuohet Romulos, themeluesit legjendar të Romës – i përbërë nga 10 muaj. Disa ditë i shtohen kalendarit për të plotësuar kalendarin me 365 ditë.

Pak para vrasjes së Jul Çezarit, muajt e quajtur Quintilis dhe Sextilis u alternuan nga senati romak dhe iu vendosën emrat Julius (July – korriku) dhe Augustus (August- Gushti) në nder të emrave të dy liderëve politikë të kohës, Jul Çezari dhe Augusti. Senati romak ia vuri emrin muajit Quintilis, Iulius sepse në atë muaj lindi Jul Çezari dhe Agustus, gushtit sepse në atë muaj lindi Augusti.

Shkruesi romak Licy thotë se kur Numa Pompilius u bë mbret i Romës në vitin 715 ai e reformoi kalendarin duke shtuar muajt Janar (29 ditë) dhe Shkurt (28 ditë) në fund të vitit. Ai gjithashtu adaptoi kalendarin hënor me 354 ditë por duke qenë se këto numra konsideroheshin të pafat, shtoi një ditë duke e bërë vitin me 355 ditë.

Reformat e Numas përmirësuan kalendarin e lashtë romak, por nuk i zgjidhën të gjitha problemet e tij, sepse çdo 4 vit dilnin 4 ditë shtesë.

Prifti më i lartë romak, Pontifeks Maksimus, i cili ishte në ngarkim të detyrës së kalendarit, filloi të bëjë ndryshime për qëllim politike duke zgjeruar mandatet e politikanëve të shquar dhe duke dhënë pushime shtesë. Prandaj, në një farë mënyre në kohën e Jul Çezarit, kalendari i lashtë romak ishte i pakuptimtë.

Rreth 20 vjet përpara vrasjes së tij, Jul Çezari u zgjodh në kolegjin e papatit, që ishte një nder i madh që mbante me vete pushtetin dhe prestigjin e të qenit një nga personat që mund të rekomandonte dhe të kryente ndryshime në kalendarin romak. Më vonë, pasi u zgjodh perandor, ai ndërmori disa reforma shumë të nevojshme të jetës romake dhe ishte i interesuar në rishikimin e kalendarit.

Në vitin 46 ai urdhëroi një rishikim të kalendarit të lashtë romak për të miratuar një kalendar të saktë diellor. Ky kalendar kishte 365 e ¼ ditë në vit me një ditë të shtuar çdo katër vjet, viti i brishtë. Çezari thirri astronomin egjiptian Sosigjeni për konsultime rreth reformimit të kalendarit romak. Sosigjeni këshilloi Çezarin që të braktiste kalendarin hënor për të zëvendësuar me një diellor që përmbante 12 muaj. Ishte ai që i sugjeroi që çdo 4 vjet të shtohej një ditë. Në këtë vit të brishtë, muaji shkurt do të kishte një ditë më tepër duke plotësuar kështu vitin me 365 e ¼ ditë. Emrat e muajve u ruajtën, por numri i ditëve u ndryshua për të pasur të njëjtin numër ditësh me aq sa kemi sot. Çezari veproi sipas këshillave të Sosigjenit dhe në vitin 46 para Krishtit, me ndihmën e priftit Marcus Lepidus, ata reformuan në mënyrë të suksesshme kalendarin romak, një reformë që zgjati për 1600 vitet në vazhdim. Viti 46 para Krishtit ishte viti i fundit i konfuzionit përsa i përket kalendarit.

Fatkeqësisht, Jul Çezari u vra në vitin 44 para erës sonë dhe nuk mundi ta mbikëqyrte implementimin e kalendarit të tij të ri, e kështu papati keqkuptoi detyrën dhe i interpretoi urdhrat ndryshe duke bërë që edhe kalendari të kishte sërish probleme. Kjo gjë nuk u vu re në fillim nga perandori i ri August Çezari, por në vitin 9 para Krishtit, ai vendosi ta korrigjonte problemin, dhe kështu iu shtua një dit muajit gusht, pasi iu hoq një muajit shkurt. Në të njëjtë kohë, u bënë rregullime të tjera për të shmangur tre muajt rresht me 31 ditë.

Kalendari Julian mbeti kalendari zyrtar i kishës së krishterë deri në fund të shekullit të 16. Në vitin 1582 u zëvendësua nga kalendari Gregorian.

Kalendari Gregorian

Edhe kalendari julian provoi të kishte disa defekte. Numri mesatar i ditëve të vitit ishte 365.25, ndërsa gjatësi e vërtetë e vitit diellor është 365.24219 ditë. Kjo mospërputhje bënte që ekuinoksi pranveror të vinte më herët çdo vit kalendarik. Për më tepër, shqetësim të madh patën edhe dijetarët e devotshëm të krishterë pasi dita e Pashkëve qëllonte më vonë me kalimin e viteve. Data e Pashkëve nxiti lëvizjen e reformave.

Në letrën e tij drejtuar Papa Klementit IV, Bacon kritikon ashpër kalendarin Julian duke e quajtur atë “të patolerueshëm e të tmerrshëm”. Shumë pak gjëra u bënë për ndryshimin e kalendarit deri në vitin 1572.

Më 14 maj 1572, papë u zgjodh Ugo Buoncompagni dhe mori emrin Gregori XIII. Ai ishte një avokat i shquar përpara se të bëhej prift, dhe ishte tepër i dhënë pas përmirësimit të arsimit romak. Papa Gregori vendosi të reformonte kalendarin Julian një herë e përgjithmonë. Ai ndërtoi “Galleria Della Carte Geografiche”, për të studiuar më mirë lëvizjet yjore. Dhe ishte i bindur, edhe falë këshillave të astronomit Ignazio Dnati, se ekuinokset po ndodhnin në datat e gabuara.

Pak kohë pasi u zgjodh Papë, Gregori XIII, prezantoi një kalendar të ri, kreditet e të cilit ia jep fizikanit Luigi Lilio. Ai sugjeroi se vitet e brishta duhet të vinin një herë në 4 vjet. Sipas tij viti kishte 365 ditë e 5 orë e 49 minuta e 12 sekonda. Asnjë rregull tjetër nuk mund të ishte kaq i saktë sa ky.

Papa Gregori XIII pranoi propozimin e Lilios më 5 janar 1578. Përmbledhja 20 faqëshe e Lilios u kritikua gjerësisht në fillim, megjithatë komisioni papal firmosi për kalendarin e ri më 15 shtator 1580. Si dita e Vitit të Ri u zgjodh 1 janari. Më 24 shkurt të vitit 1582 erdhi fundi i kalendarit Julian dhe më 1 mars të po atij viti filloi zyrtarisht kalendari i ri. Vendet katolike në Europë miratuan kalendarin e ri. Por Britania e Madhe ishte një nga vendet që nuk e miratoi deri më 1 shtator 1752. Më pas kalendari gregorian u përhap në të 4 cepat e globit, dhe tani përdoret universalisht nga të gjithë.

Megjithatë, edhe kalendari gregorian është jo perfekt. Ai luan me 25 sekonda çdo vit. Që nga viti 1582 janë akumuluar plot 2 orë e 59 minuta e 12 sekonda dhe do të plotësojnë një ditë të tërë pas 72 gjeneratash nga sot.