Politika Historia e padëgjuar e Kokëdhimës: Isha me këpucë të vjetra, më vinte...

Historia e padëgjuar e Kokëdhimës: Isha me këpucë të vjetra, më vinte turp të futesha në sallë

Koço Kokëdhima, kreu i Lëvizjes më të re politike “Zgjidhja” e cila po funksionon si një opozitë brenda Partisë Socialiste, ka zbarkuar në qytetin e Fierit nga nisi gjithçka prej zeros për tu shndërruar ai që është sot.

Ndoshta për këtë arsye, Kokëdhima bëri një rrëfim nostalgjik dhe të sinqertë për socialistët e Fierit, që mbështesin lëvizjen “Zgjidhja”. Në podium, Kokëdhima foli për emocionet e vitit 1984 në kohën kur këpucët i kishte të lodhura dhe xhaketën të vjetër, por i duhej të mbante fjalimet para qytetarëve

Rrëfimi i Kokëdhimës për fillimet e karrierës së tij:

“Në këtë sallë kam bërë shumë fjalime në të shkuarën. Për herë të parë fola në fund të vitit 1984. Më thirrën nga fusha ku punoja me Resmi Islamin dhe shumë shokë të tjerë. Studionim nëntokën dhe bënim profilet sizmike të Ultësirës nga Fushëkuqe e Laçit, në Cërrik e deri në Seman.

Nuk e dija se këtu po bëhej konferenca e rinisë e asaj kohe. Atë ditë e mbaj mend jo vetëm se u zgjodha në krye të atyre të rinjve e të rejave të jashtëzakonshëm që i kam dhe do i mbaj në zemrën time përjetë. Këpucët e mia ishin shumë të vjetra dhe tepër të lodhura. Nuk mund të futesha në sallë se më vinte turp. Prita jashtë derisa Mustafa Luto më solli një palë këpucë të reja ku mezi i futa këmbët se më rrinin shumë të vogla.

Aq shumë më vranë ato këpucë sa edhe tani e kam ndjesinë se më vrasin këpucët sa herë provoj një palë të reja. Provova edhe një xhaketë të Kujtim Hajdarit, por nuk më bënte, sepse më rrinte e vogël, kështu që dola me atë që kisha veshur.

Fieri është një qytet shumë i dashur për mua dhe familjen time. Në këtë qytet fillova punën për herë të parë në Institutin e Naftës si matematikan, ndërsa zonja ime, Brixhida, filloi si mësuese në shkollën “Perikli Ikonomi”.

Fillimisht u strehova në Patos me ndihmën e Bilbil Muços. Njerëzit ishin të varfër, por të dashur e të vëmendshëm. Në dhomën ku qëndrova për disa javë, Arshi Hajdini na solli dhuratë dy pirunë që na bënë punë atë fundjavë.

Në Fier lindën e u ritën tre vajzat e mia, Besa, Bora dhe Era, këtu bëra emër e pasuri, krijova aq shumë miqësi e njohje të cilat janë thesaret më të mëdha të jetës time. Të shumtët nga miqtë e mi kanë ikur nëpër botë e në Tiranë, por sot kam parë lumturisht disa prej tyre në këtë sallë. U jam mirënjohës dhe ju përulem me respekt të thellë, gjithë këtyre njerëzve të mrekullueshëm të Fierit, Mallakastrës, Patosit, Myzeqesë, Roskovecit, Kurjanit e Levanit, të cilët më ndihmuan aq shumë që të bëj një jetë të madhe”.