Kryesore Historia e panjohur e “KONJAKUT SKANDERBEG”

Historia e panjohur e “KONJAKUT SKANDERBEG”

Nga Ervin Fetahu

Para se të zbulohej kjo shishe konjaku me etiketën SKANDERBEG KONJAK, dhe me vend origjine qytetin bregdetar të Vlorës, të gjithë kujtonim ose më saktë na ish thënë se vendi i origjinës së prodhimit të konjakut Skënderbeg ishte Korça…

Mirëpo rastësia apo fati e deshi që kjo shishe 80 vjeçare, për hir të së vërtetës shumë e bukur dhe e veçantë për nga stili dhe dizajni, të binte në dorën e një koleksionisti të njohur shqiptar. Duke biseduar me mikun tim, pra koleksionistin Bledar Keneta për koleksionet e tij, ai më tregoi se si ra në kontakt me vinotekën italiane e cila e ruante shishen me emrin e heroit tonë kombëtar prej shumë e shumë vitesh. Në çast nuk nguroi, me nuhatjen prej një koleksionisti nxitoi dhe i kërkoi vinotekës që t’a blinte prej saj këtë ekzemplar të rrallë dhe domethënës.

Historiku i lëngut me ngjyrë fillon në vitet 20-të të shekullit të kaluar, ku shumë familje të pasura filluan bizneset me linja prodhimi dhe industri të lehtë e cila vinte nga vendi fqinj Italia. Sipërmarrësit në fjalë e dinin që vendi i tyre kishte mangësi në shumë sektor industrial dhe kështu filluan ortakëritë e para, ose thënë ndryshe shoqëritë e para tregtare me orientim perëndimor dhe kryesisht ishte vendi përtej Adriatikut, Italia, e cila joshte dhe plotësonte me teknologjinë industriale në tregun e varfër dhe të etur në Shqipërinë e pas luftës së parë botërore.

Këtu do të cekim disa emra të njohur dhe familje të pasura tregtare të asaj kohe të cilat kishin nisur bizneset të cilat gjenden në regjistrat tregtar italian si p.sh:

Familja Vlora, Familja Vrioni, Familja Vërlaci, Familja Toptani, Vëllezërit Mborja në Korçë të cilët prodhuan birrën e parë shqiptare, vëllezërit Gjata, Familja Sharra, Familja Kripa, Familja Petrela, Familja Kondi, Familja Tafaj, Familja Begeja, Familja Demneri, Familja Kaçeli, Familja Beshiri, Familja Bakalli, Familja Taka, familja Besho, Familja Resuli, tregtarin gjirokastrit Andon Kabili, Tregtarin Kostaq Deçolli, Familja Pogaçe, Familja Papuçiu, Familja Dakoli, Familja Bushati, Familja Luka, Familja Kraja, Familja Turtulli, Familja Faber, Familja Plasa, Familja Samarxhi, Familja Qyteza, Familja Selfo, Familja Çelo, Familja Karagjozi, Familja Kokalari, Familja Gurgajn e shumë e shumë familje e individ të tjerë në mbarë vendin.

Por do të ishte Siri bej Vlora pinjolli i Xhafer bej Vlorës ai i cili vite e vite kishte përpunuar në kokën e tij idenë se uji i ftohtë i Vlorës ishte ideal për një pije të tillë si konjaku, dhe patjetër ai duhej të kishte informacion të detajuar në kiminë-ushqimore, me gjasa zotëronte edhe formulën magjike të kësaj pije të veçantë e cila më vonë do të bëhej marka kombëtare shqiptare, e do të çante tregjet përtej Shqipërisë.

Konjakut Skënderbeg ju bë një reklamë si askush tjetër nga prodhimet autentike shqiptare, u bënë modë dhe trendi dhuratat me shishe konjaku të paketuar ashtu bukur, sa që ju këndua edhe këngë, u thurën mite e legjenda për formulën e tij magjike.

Më pas Siri Vlora ja shet biznesin e tij një distilerie të njohur italiane e cila vazhdon prodhimin e pijes alkoolike deri në vitet e 40-të të shekullit të kaluar ku me ardhjen e komunizmit Shqipëria u izolua dhe të gjitha sipërmarrjet e huaja she vendase u konfiskuan, sekuestrua nga regjimi komunist, i cili ashtu siç u rrëmbeu pronat, rrëmbeu edhe emrin e patentave dhe markave origjinale, si konjaku në fjalë. Më pas kjo pije filloi të prodhohej në Korçë dhe u bë pije e dëgjuar ku në lokalet dhe baret shqiptare dëgjoheshin shpesh trokitjet me lëngun e errët të quajtur SKANDERBEG…!