Aktualitet Historia e panjohur: Si u rrezikua Ismail Kadare nga Banda e Lushnjës

Historia e panjohur: Si u rrezikua Ismail Kadare nga Banda e Lushnjës

Në përpjekjet për të gllabëruar prona, banda e Aldo Bares futet në konflikt me familjen e pasur Taullau në Lushnje.

Biznesmeni Baki Taullau ishte ndër më të njohurit. Vëllai i tij Alberti ka rrëfyer para gjykatës se në një rast, u ka marrë 10 milionë lekë Eduart Demiri, një pjesëtar i bandës i skeduar nga autoritetet italiane.

Vëllai tjetër Saimir Taullau, i cili njihet si person i dënuar për trafik droge ka dëshmuar se atyre u është vënë disa herë gjobë. Saimir Taullau ka deklaruar në gjykatë se ushtarët e Aldo Bares i kishin kërkuar të vëllait 500 mijë euro para ekzekutimit. Plani në fakt datonte që në datën 24 Shkurt të vitit 2003, kur Enver Dondollaku u përgjua duke biseduar në telefon me Aldo Baren.

“Shtëpia e Taullaut duket mirë nga ajo e Keles, i dërgojmë një karamele të gjatë”, thotë Dondollaku duke nënkuptuar sulm me snajper.

Bakiu ekzekutohet pas 6 muajsh në qendër të qytetit ku kishte dalë për të festuar fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 3 Korrikut të vitit 2005.

“Krimet shfrytëzojnë fushatat elektorale, jashtë mase, dhe shikojnë, vlerësojnë kush është më afër fitores, marrjes pushtetit”, thotë për Top Story eksperti i sigurisë Emri Vata.

Mes turmës në shesh afrohet Leonard Prifti, i njohur si “Çibiku” apo “I vogli”, nxjerr pistoletën dhe qëllon disa herë duke e lënë të vdekur në vend Baki Taullaun.

“Çibiku” tenton të largohet me shpejtësi, por njerëzit që shoqëronin biznesmenin arritën ta ekzekutojnë aty për aty. Vrasësit e “Çibikut” nuk u identifikuan kurrë, edhe pse në Lushnje flisnin për një biznesmen me lidhje të forta me të djathtën që sapo erdhi në pushtet.

Aldo Bare humbi një prej beniaminëve të tij. “Çibiku” ishte rekrutuar që në moshën 14-vjeçare nga banda dhe u ekzekutua kur ai ishte 25-vjeç. Ai ishte rritur jetim. Rreth vitit 1993 prindërit i ishin mbytur pasi kishin tentuar të emigronin në Itali me gomone. Leonardi jetonte rrugëve, dhe Aldo Bare i dha një strehë.

Si u rrezikua Ismail Kadare nga Banda e Lushnjës

Pas vrasjes së Taullaut, banda ishte e vendosur të hakmerrej deri në fund ndaj çdo punonjësi të shtetit që u kishte hapur probleme.

Përmes ndikimit të grupit, disa prej drejtuesve kryesorë ishin larguar nga strukturat e policisë. Një prej tyre ishte edhe ish-drejtori i Policisë Kriminale Xhavit Shala, njeriu që kishte drejtuar operacionin e vitit 1999 kundër bandës.

“Ajo që ndodhi pas ikjes sime është që këta njerëz që ishin angazhuar e kishin bërë punë të lavdërueshme, dikush dhe ishte dekoruar u hoqën menjëherë”, tregon Spartak Poçi, Ish–ministër i Rendit.

Në 5 Mars të vitit 2005 një sasi tritoli shpërthen në pallatin ku Shala banonte në zonën e “Don Boskos”. Në atë ngjarje mbeti i vdekur Enver Rabija, anëtar i bandës së Lushnjes. Duket se diçka shkoi keq dhe tritoli shpërtheu para kohe, në duart e atentatorit. Karta e telefonit që kishte aktivizuar tritolin kishte dy numra të regjistruar, një në Rumani dhe një në Turqi.

Numri rumun ishte i të dashurës së Aldos, Denada Kodrës kurse në Turqi i vetë Bares. Ngjarja, u lexua si mesazh edhe për Katja Banon, nënën e policit Klenti Bano, i ekzekutuar nga banda disa vite më parë. Ajo, banonte në të njëjtin pallat. Prej asaj ngjarje, Katja kyçi gojën. Top Story insistoi për një intervistë por zonja Bano refuzoi.

Në Gusht të vitit 2005, Shalës i vendosin tritol në makinë. Ishte data 13, kur Xhaviti merr mjetin tip benz që e parkonte përballë pallatit. Ai kishte destinacion Elbasanin, ku ndodheshin bashkëshortja dhe fëmijët. Te Shkëmbi i Kavajës, Shala bën një ndalesë dhe konsumon një kafe me ish-ministrin Spartak Poçi.

“Edhe atje kemi qenë atë ditë, e mora vesh disa minuta më vonë ngjarjen që ndodhi”, tregon Spartak Poçi.

Ish-drejtori i Policisë bën një tjetër ndalesë në zonë ku takohet me disa kushërinj nga Kosova. Ai merr një telefonatë nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare i cili e fton për një kafe në banesën e tij te Mali i Robit. Më pas, ai i drejtohet banesës ku qëndronte shkrimtari Kadare.

Top Story, ka siguruar këtë foto të kohës që i përket pikërisht takimit të asaj dite. Shumë pranë tyre ishte edhe mjeti me lëndën plasëse që nuk aktivizohet. Këto detaje që flasin për rrezikun që iu kanos shkrimtarit të madh shqiptar dalin në dritë për herë të parë në këtë dokumentar. Duket se qëllimi i atentatorëve ishte një hakmarrje e egër. Ata e dinin se Shala po shkonte te familja e tij.

Komisari ndalon në një servis në Elbasan pasi mjeti kishte një defekt. Punëtori i servisit, një djalë vetëm 17-vjeçar, nxjerr pakon e mbështjellë me natriban ku ishte lidhur një celular. Në atë moment, me instiktin e një polici Shala merr pakon dhe e hedh diku larg me shpejtësi. Aty mbërrijnë forcat xheniere që çaktivizojnë tritolin.

Pas këtij atentati, Shala nuk i kishte besim as truprojave të shtetit. Ai organizon largimin e bashkëshortes dhe fëmijëve në mënyrë të fshehtë jashtë vendit.