Aktualitet Historia e rrallë/ Humbi 8 djem, babai ka një mesazh prekës për...

Historia e rrallë/ Humbi 8 djem, babai ka një mesazh prekës për vajzën e vetme

Nuk janë të rrallë prindërit që nuk dinë t’u thonë JO fëmijëve të tyre apo t’ua prishin dëshirat për gjërat që duan.

Por, me siguri, Niko nga Korça është një baba i rrallë. Pas një lumi sakrificash dhe pas shumë fëmijëve të humbur, ai u bekua me një vajzë, Eva, ndaj së cilës i mbeti peng një veprim nga fëmijëria.

Niko u martua me Valentinën në vitin 1987. Të gjithë për atë martesë ishin kundër, sepse Niko kishte biografi të keqe, ndaj si zgjidhje të vetme pa rrëmbimin. Siç tregoi ai sot tek “E diela shqiptare”, peripecitë nuk do të kishin fund pas atij rrëmbimi.

Për 7 vjet me radhë, familja e Valentinës nuk fliste me të bijën. Por nuk ishte kjo më e keqja. Me gjithë hallet familjare, erdhi në jetë një djalë.

Lumturi më të madhe nuk kishte, por nuk zgjati shumë, sepse pas dy ditësh, fëmija vdiq: “Nuk kishte dhimbje më të madhe”, – tregon me lot në sy Niko kur kujton ato vite.

Pasi mbeti për të dytën herë shtatzënë, Valentina humbi edhe dy djemtë binjakë, njëri pas tri ditësh dhe pas 5 ditësh, edhe i dyti. Ishte e padurueshme, nënvizon Niko, por pas tyre, humbën edhe 3 djem të tjerë, derisa fëmija i shtatë erdhi në jetë një vajzë, Eva, e cila sot është 20 vjeç dhe gëzon shëndet të plotë.

Që nga dita që ka lidur e deri sot që ajo është studente në Tiranë, Niko tregon se e bren gjithmonë frika mos e humbet. Dashuria e tij e pamatë për të bijën e ka bërë që për të të bëjë gjithçka, pa marrë parasysh sakrificat që i duhet të bënte. Dhe ia ka dalë.

Megjithatë, i ka mbetur një peng në zemër. Kur Eva ishte në klasë të shtatë, bashkë me shoqet e saj, kishte lidhur në bel një bluzë.

Pasi e kishte parë, i ati i ishte afruar grupit të vajzave dhe e goditi të bijën: “U lodha nga nervat, nuk e përballova dot. E pashë që asaj i erdhi shumë rëndë, ndaj e kam brengë për tërë jetën dhe për këtë kam ardhur. E dua aq shumë, sa edhe jetën e jap për të. Por unë dua që ajo ta heqë nga kujtesa atë skenë…”, – tregon i përlotur i ati.

Dobësinë që i ati ka për të, Eva e ka kuptuar dhe ndoshta, me apo pa dashje, ka përftituar nga situata të ndryshme në jetë. Për t’i blerë asaj një celular që shkonte rreth 60 mijë lekë, Niko ishte detyruar të hynte në kredi dhe të punonte dy turne, por asaj nuk ia tha kurrë këtë.

Sot, për t’i bërë një lojë së bijës dhe për të mësuar nëse ajo ishte në gjendje të kuptonte se sa shumë sakrifica kanë bërë ata për të, Niko i propozoi nga ekrani që ajo të linte Tiranën dhe të kthehej ta vazhdonte universitetin në Korçë. Kjo, për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodheshin. E keqardhur, Eva pohoi me një PO të zbehtë, por ishte e bindur se nuk ishte kjo dëshira e të atit. Ajo, e mësuar tashmë me sakrificat e tij, ishte e bindur se po të fliste me të, do t’ia ndryshonte mendjen. Në fakt, Niko nuk kishte këtë gjë në mendje, përkundrazi. Ai do të vazhdojë të sakrifikojë e të vuajë që ta shohë të bijën e vetme mes më të mirave…