Bota Historia e tmerrshme në Kanada, gjenden eshtrat e 215 fëmijëve në ish-shkollën...

Historia e tmerrshme në Kanada, gjenden eshtrat e 215 fëmijëve në ish-shkollën e aborigjenëve

Eshtrat e 215 fëmijëve, disa prej të cilëve vetëm 3 vjeç, janë gjetur në një ish-shkollë për fëmijët indigjenë, një zbulim që kryeministri Justin Trudeau e përshkroi si të trishtueshëm.

Fëmijët ishin pjesë e shkollës, e cila u mbyll në vitin 1978. Për dekada me radhë, shumica e fëmijëve indigjenë në Kanada u morën nga familjet e tyre dhe u detyruan të futen në shkolla, ku qëndronin në konvikt. Një numër i madh i tyre nuk u kthyen kurrë më në shtëpi.

Një hetim i thelluar u krye në vitin 2015 mbi “gjenocidin kulturor”. Raporti dokumentoi abuzime të tmerrshme fizike, përdhunime, kequshqyerje dhe mizori të tjera ndaj më shumë se 150 mijë fëmijëve që ndoqën këto shkolla, të drejtuara kryesisht nga kisha e krishtere nga vitet 1840 deri në vitet 1990.

Më shumë se 4100 fëmijë humbën jetën ndërsa ishin në këto shkolla. Ndërkohë, vdekjet e 215 fëmijëve, eshtrat e të cilëve janë gjetur së fundmi, besohet se nuk janë përfshirë në shifrën e mësipërme dhe nuk kanë qenë të dokumentuar. “Më thyen zemrën. Është një kujtesë e dhimbshme e atij kapitulli të errët dhe të turpshëm të historisë së vendit tonë”, shkroi Trudeau në Twitter.

Në vitin 2008, qeveria kanadeze kërkoi zyrtarisht falje për atë sistem.