Extra Historia e veçantë e “Çapit”, qeni që u përcoll me nderime nga...

Historia e veçantë e “Çapit”, qeni që u përcoll me nderime nga memaliotët në diktaturë

Foto ilustruese nga Memaliaj

(Shkëputur nga shkrimi “Gjuetarët tepelenas”)

Një tjetër kujtim nga më të veçantët për atë kohë ngelet edhe ajo ceremonisë së përcjelljes së trupit të “Çapit”, për në banesën e fundit, një fakt ky që mund të jetë nga të vetmit, jo vetëm në sistemet diktatoriale, por edhe në ato demokratike nëpër botë.

“Çapi” ishte një qenë, jo vetëm i talentuar për gjuetinë e lepujve, por edhe shumë i zgjuar, pasi kishte mprehtësi për të kuptuar dhe komunikuar, jo vetëm me të zotin e tij, por edhe me ata që kujdeseshin më shpesh për atë. Ishte shumë i dashur dhe besnik. “Çapi”, ishte i gjuetarit. Alem Kanani. “Çapi” mbahej për një nga zagarët gjuetarë më të mirë për të gjuajtur lepujt, jo vetëm në Memaliaj dhe rrethin e Tepelenës, por edhe më gjerë. Nëse në atë kokë do të krahasohej për nga aftësitë, ndoshta mund të ishte edhe nga më të veçantit, jo vetëm në vend, por edhe nga jashtë kufijve tanë!

Kishte aftësi të veçanta, pasi ia nxirrte lepurin, gjuetarit përpara syve dhe shumë afër, për ta qëlluar me çifte. “Çapi” ishte aq i aftë, saqë në shumë raste, i kapte lepujt dhe ia çonte në duar, gjuetarit, Alem Kanani. Për “Çapin”, kujdesej shumë, jo vetëm Servet Kanani, i cili ishte djali i gjuetarit, por edhe memaliotët e tjerë, si: Fatmir Mema, Dilaver Murati, Albert Malka, Agim Ismailati, Edmond Mema dhe Enver Selmani, pasi zagarët e gjahut të këtij gjuetari, banonin në një nga vendet që u kishin ndërtuar të zotët kujdestar, në periferinë e qytetit, buzë Vjosës, nga krahu i “Ofiçinës së Minierës” që ishte ndërtuar në periferi të qytetit.

Edhe pse isha më i vogël, kam patur fatin që të luaja edhe unë me “Çapin”, duke e përkëdhelur, herë unë dhe herë të më përkëdhelte ai, pasi kishte raste që bëhesha pjesë e shoqërisë së këtyre memaliotëve nga ana e tim vëllai.

Në një nga netët e atij sistemi, policia kishte dalë për të vrarë zagarët, që dilnin në orët e vona nëpër rrugët e qytet. Një prej këtyre policëve të ligjëruar apo atyre “policëve” vullnetarë, padrejtësisht, i mori jetën edhe “Çapit”. Të gjithë ata që e njihnin dhe kishin dëgjuar për “Çapin”, u hidhëruan po aq shumë, sa familja ku bënte pjesë edhe prezenca e tij, por edhe emrat e këtyre memaliotëve që lartpërmenda, ku bëjë pjesë dhe unë. Mes hidhërimit të madh, këta memaliotë e gjetën trupin e pajetë të “Çapit” që punëtorët e komunales e kishin hedhur në pjerrësinë e buzës së lumit Vjosë, midis kufirit të rivierës së “Hakes” dhe të “Arganellës”; dhe e morën për ta përcjellë me nderimet më të mëdha të kohës; për nga kushtet dhe kufizimet, që të detyronte sistemi diktatorial.

Mbaj mend që e kemi marrë dhe e kemi futur në një arkivol të sajuar me arkat e ambalazheve ushqimore të asaj kohe, të marra nga të hedhurat e NFP-së (Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve). Arkivoli u mor mbi një tezgë, nga ato që përdoreshin në sektorin e ndërtimit dhe e kemi çuar në një vend tjetër buzë Vjosës, midis “Arganellës” dhe “Vajës”, ku më të rriturit e zgjodhën për vendprehje të përshtatshme, shumë afër një rrapi të vjetër në moshë, por të shëndetshëm. “Çapi”, ashtu i heshtur në dukje, por fisnik, dukej sikur po flinte dhe do çohej nga çasti në çast. Pasi iu vendos kapaku i arkivolit, që do t’a kufizonte dhe hermetikoste trupin e tij nga kaltërsia e qiellit dhe drita e diellit, por edhe prej syve tanë plotë dëshpërim, por jo shpirtin e tij të lirë, që padyshim do jetë mishëruar, në një trup apo krijesë tjetër.

Mbaj mend, që në shenjë nderimi, janë hedhur për shpërthim disa kanaçe me karbit, të cilat fluturonin disa metra në lartësi, në vend të shpërthimeve të artilerive luftarake, ku jehona e shpërthimit të tyre, dhjetëfishohej nga akustika që u jepte lugina e Vjosës. Mbi kapakun e arkivolit u hodhën lule që gjendeshin përreth, disa cigare të lira dhe paketa të markës së kohës si; “Durrësi” e “Partizani”. Në shenjë nderimi, nga të gjithë, u mbajt për një moment, heshtjeje, por të shoqëruar me lot nëpër sytë këtyre memaliotëve.

Në atë paradite, të një nga ditët e korrikut të nxehtë, kam qenë në pushimet verore, para se të hidhesha në filloren e klasës së katërt dhe kur pashë ata lot në sytë e tyre, kuptova se ata po përcillnin një krijesë fisnike që u kishte dhuruar kujtimet më të bukura në këtë bashkëjetesë të paracaktuar nga i madhi Zot. Pasi u përcoll dhe u mbulua trupi i tij, tek trungu i rrapit në krahë u gdhend emri “ÇAPI”. Kjo u bë, që të mos harrohej vendprehja e “Çapit”, pasi kjo e fundit ishte jo larg dhe në një drejtim me banesën e tij, ku u lind, u rrit dhe kaloi jetën e tij, derisa iu mor jeta tragjikisht.

Nuk e solla këtë rast, as për luks dhe as për të shitur mend tek ata pak, që mendojnë si trumcakër, por për të treguar se ky është dhe ngelet një rast unikal në botë, aq më shumë, në një sistem ku nuk llogaritej fare, marrja e jetës së njeriut, me gjakftohtësinë më të thellë; por për të treguar kulturën dhe vlerat e pjesës tjetër më të madhe të memaliotëve, që ishin pro jetës dhe të drejtës së çdo krijese, që na kishte rënë në pjesë, në këtë bashkëjetesë të caktuar nga Zoti, që fatkeqësisht u përjetua e kufizuar dhe e diktuar nga diktatura.

Nëse sot, në jetën reale dhe demokratike të kësaj bote, duke e përjetuar nga ata që njohim apo mësuar nga mediat, të cilët kanë nderuar dhe nderojnë qentë e familjeve të tyre e deri tek ata shtetërorë, me uniformë e grada ushtarake e policore, rasti jonë si bashkëqytetar, ka qenë dhe ngelet i veçantë në botë.

Sa herë që e kujtoj këtë gjest fisnik, aq më shumë më bënë krenar, pasi kur e kam ndarë me shumë të huaj, po aq shumë sa e kanë dënuar ekzekutimin e “Çapit”, nga policia e atij sistemi, po aq edhe i kanë e vlerësuar nderimet njerëzore që i kemi bërë kësaj krijese inteligjente, e cila, nëse do të ishte në gjendje të fliste, do të kishim mësuar shumë nga universi i tyre shpirtërorë.

Ky funeral, nëse do të binte në veshët e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe dhe të merrej seriozisht, padyshim që do të përjetoheshin edhe përndjekjet e kohës, si për organizatorët dhe pjesëmarrësit; si përpjekje për zgjimin e një rebelimi ndaj sistemit diktatorial.

Nga Edmond Ismailati

Gusht, 2024