Extra Historia e veçantë, si qeni shpëtoi të zotin nga përmbytja vdekjeprurëse

Historia e veçantë, si qeni shpëtoi të zotin nga përmbytja vdekjeprurëse

Më 25 tetor 2011, pesë fshatra të vegjël në Cinque Terre, Itali – të cilat kishin qenë prej kohësh atraksion për turistët nga e gjithë bota – u goditën nga një prej përmbytjeve më të këqija që vendi kishte parë ndonjëherë. Trembëdhjetë njerëz u vranë dhe shumë të tjerë humbën prona dhe pasuri.

Të gjithë në Cinque Terre kanë një histori për të treguar për atë ditë të tmerrshme. Një nga më të jashtëzakonshmet rrëfehet nga një pronar hoteli, Pierpaolo Paradisi. Ai thotë se në atë ditë fatale, qeni i tij i shpëtoi jetën, dhe sot hoteli i tij mban emrin e qenit hero, Leo.

Paradisi u shpërngul nga Sardenja në këtë zonë, për të hapur biznesin e tij dhe pak muaj më vonë vendosi të adoptonte një qen. Historia e qenushit Leo për Paradisin është vërtetë e veçantë, pasi më parë, ai e shpëtoi qenin e braktisur në një kafaz dhe më vonë… qeni e shpëtoi atë nga vdekja.

Mëngjesin e ditës që do të niste përmbytja, Paradisi pati ndjesinë se nuk duhet ta linte qenin e tij vetëm në shtëpi dhe me sa duket veproi siç duhet. Stuhia kishte filluar tashmë – shi i madh, bubullima, breshër dhe tornado shkatërruese uji. Paradisi vendosi të largohej herët nga puna, prej frikës se moti do të përkeqësohej. Ai e kishte futur Leon në pjesën e pasme të makinës së tij dhe në pjesën më të madhe të rrugës, qeni qëndroi në heshtje. Por kur makina gati sa nuk u përplas me një  shkëmb, Leo bëri lëvizjen e tij.

“Ai u hodh mbi gjunjët e mi, kështu që më duhej të ndaloja”, thotë Paradisi. “Leo, unë jam duke vozitur, i bërtita”. Në atë moment – teksa ai po përpiqej të largonte qenin nga prehri i tij dhe të nisej përsëri, shkëmbi u rrëzua përpara tyre. “Telefonova policinë dhe ata më thanë: Duhet të kujdeseni për veten sepse ne nuk mund të bëjmë asgjë, ne jemi plotësisht të izoluar – ju duhet të përpiqeni të gjeni ndihmë”, thotë më tej Paradisi për CNN Travel.

Ata fjetën në makinën e tyre atë natë dhe të nesërmen, me rrugë ende të shkatërruara, u përpoqën të arrinin në shtëpinë e tyre në këmbë. “Ndihej si një zonë lufte”, thotë Paradisi. “Ishin pesë helikopterë që po kërkonin të humburit. Shtëpia jonë ishte në rregull, por nuk arritëm dot atje, sepse një rrëshqitje toke e kishte ndërprerë atë”.

Sot, shtëpia e tyre është një hotel buzë shkëmbit. Paradisi e ka quajtur pronën Lozha e Leos dhe qeni luan rolin e një mikpritësi të përsosur, duke përshëndetur mysafirët dhe duke i shoqëruar në dhomat e tyre.

Fama e Leos është përhapur shumë që prej asaj kohe. Në vitin 2012, vitin pas përmbytjes, atij iu dha çmimi kryesor në Premio Internazionale Fedeltà del Cane, ose Çmimi Ndërkombëtar për Besnikërinë e Qenve, ku ai u zgjodh si “i pari midis të barabartëve” nga 10 qen po aq të jashtëzakonshëm.