Aktualitet Historia frymëzuese e Bleridës: Emigrantja shqiptare që sot shkëlqen në fushën e...

Historia frymëzuese e Bleridës: Emigrantja shqiptare që sot shkëlqen në fushën e shkencës në Australi

Suksesi i shqiptarëve kudo në botë është i padiskutueshëm, por ndonjëherë nuk i jepet zë gjithë rrugëtimit që i ka çuar ata drejt këtij suksesi.

Një histori sakrificash e këmbënguljeje shoqëruar me shumë punë është ajo e Dr.Blerida Banushit. Kjo histori që e ka zanafillën në qytetin e Durrësit. Rritur në vijën bregdetare të Adriatikut, Dr.Banushi gëzoi një fëmijëri të shkujdesur me prindërit dhe dy motrat e saj deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Në mars të vitit 1991, një grup masiv njerëzish u larguan nga Shqipëria, në kërkim të një jete më të mirë. Mbi 25.000 refugjatë u vendosën në anije të mbipopulluara e të kalbura dhe lundruan drejt Italisë. Njëri prej tyre ishte dhe babai i Bleridës.

“Prindërit e mi ishin të dy mësues dhe pagat e tyre nuk mjaftonin për të mbijetuar, prandaj babai im emigroi drejt Italisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë financiare për ne. Unë, motrat dhe mami qëndruam në Shqipëri”,- shprehet Banushi.

“Kur filloi lufta civile në 1997, situata dukej tepër kaotike, prandaj prindërit vendosën të shpërnguleshim edhe ne në Itali, tek babai. Unë ja atribuoj karakterin tim jashtëzakonisht të mprehtë asaj periudhe. Vendi ku u transferuam në Itali, ishte i vogël, i errët dhe i ftohtë. Ishte një apartament vetëm me një dhomë gjumi për të pestë ne. Unë fillova menjëherë shkollën, por qaja shpesh sepse më mungonte jeta në Shqipëri. Mbaj mend që mamaja ime më nxiste çdo natë të isha pozitive, teksa ngrohja këmbët e ftohta nën jorgan. Kjo është koha kur nisa të kuptoj se çdo periudhë e vështirë në jetë është e përkohshme dhe se duhet ta marrësh çdo ditë ashtu si të vjen. Një këmbë përpara tjetrës.”

Të studionte në një gjuhë të huaj për të ishte e vështirë në fillim, por u përshtat shpejt dhe nisi të shkëlqejë akademikisht. Teksa përshtatej me jetën e re, Dr.Banushi krijoi një ekuilibër mes dashurisë së saj për librat e biologjisë qelizore dhe pasionit e talentit për sportin. Madje u bë një kampione italiane e hedhjes me shtizë (javelin).

“Babai im ishte një mësues i atletikës dhe më trajnoi në hedhje me shtizë gjatë shkollës së mesme. Ai është personi që më mësoi disiplinën dhe se këmbëngulja të shpërblehet. Asnjëherë nuk kam menduar shumë thellë rreth ndikimit që e kaluara ime ka patur në ndërtimin e karakterit tim elastik, por tani mund të them me bindje që më ka bërë më të guximshme.”

Pasi përfundoi studimet universitare dhe masterin në Kolegjin “Nuovo” (universiteti i Pavias) në Italinë Veriore, Dr.Banushi u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar për të kryer studimet e doktoraturës në Kolegjin Universitar të Londrës (University College of London – UCL).

“Gjatë përfundimit të studimeve të doktoraturës, unë nisa ta shoh hulumtimin (research-in), jo vetëm si një instrument për zbulim, por si një mjet të fuqishëm për të dhënë një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve”, -shpjegon Dr. Banushi.

“Rastësisht, u njoha me punën e profesoreshës së Asociuar, Fiona Simpson dhe jam mrekulluar nga puna e saj. Isha shumë e lumtur për faktin që ju bashkova laboratorit të saj dhe pata mundësinë të aplikoja aftësitë e mia për të përmirësuar opsionet terapeutike për pacientët me kancer. Puna ime e tanishme është e përqendruar në aplikimin e një teknologjie të re që ne kemi zhvilluar në laborator për të manipuluar sipërfaqen e qelizave të tumorit te njerëzit në mënyrë që ilaçet ekzistuese të kancerit që synojnë tumoret të mund të bashkëveprojnë më mirë me sistemin imunitar. Nëse hulumtimi ynë vërteton se kjo teknologji funksionon, ajo mund të aplikohet në tipet e ndryshme të kancerit dhe të shpëtojë mijëra jetë”, -shpjegon Dr Banushi.

Rezultatet e këtij studimi u botuan së fundmi në revistën “Cell” dhe teksa kolegët e saj po festonin në laborator, Dr.Banushi po e festonte këtë rast, duke ngjitur malin e Kilimanxharos në Afrikë për të mbledhur fonde për UNICEF në Australi.

“Ngjitja ishte e vështirë, por ajo që mësova nga e gjithë kjo ishte “pol pole” – që në gjuhën afrikane do të thotë “ngadalë ngadalë”. Kjo thënie na përsëritej vazhdimisht gjatë gjithë udhëtimit. Kur mbërritëm në pikën finale, udhëheqësi na tha: ”Mos shikoni arritjen apo orën, thjesht përqendrohuni që të vendosni njërën këmbë para tjetrës”, kujton Banushi.

“Bërja e hapave kaq të vegjël, në atë kohë më bëri të mendoj se nuk do të arrinim kurrë në majë, por në fund të gjashtë ditëshit, ja arritëm. Kur isha në Afrikë, vendosa të jem vullnetare në një jetimore tanzaniane. Nuk do t’i harroj kurrë buzëqeshjet e fëmijëve dhe dëshirën e tyre për të mësuar. Fakti që nuk kanë mundësinë të marrin edukimin që duan e që ju duhet është një fatkeqësi. Dikur kam qenë një fëmijë që mori edukimin e duhur dhe tani dua të ndihmoj fëmijë të tjerë për të arritur këtë. Jeta ime ndryshoi plotësisht kur prindërit e mi u zhvendosën në Itali dhe kjo më mësoi se mundësitë që ka secili person varen jashtëzakonisht shumë nga vendi ku ata kanë lindur. Kjo është arsyeja pse unë dua të ndihmoj të tjerët, sepse “ngadalë- ngadalë” besoj se të gjithë mund të bëjmë një ndryshim!”

Aktualisht, Dr. Blerida është pjesë e departamentit të kërkimit në Institutin Diamantina, Universiteti i Queensland, në fakultetin e Mjekësisë, Australi.

Burimi: UQmedicine Magazine