Histori Historiania Elena Kocaqi: Dorët ishin ilirë dhe gegë. Nga buron emri toskë

Historiania Elena Kocaqi: Dorët ishin ilirë dhe gegë. Nga buron emri toskë

Historiania Elena Kocaqi ishte e ftuar në emisionin Shqip në Dritare TV, ku foli për librin e saj të ri mbi pellazgët dhe origjinën e shqiptarëve. Ndërsa fliste për dorët, Kocaqi tha se ata ishin ilirë dhe për më tepër ishin gegë.

Elena Kocaqi: Çështja e etnisë greke nuk është parë siç duhet. Unë kam parë regjistrat osmanë për Greqinë dhe këtu trajtohet. Në antikitet fiset greke dhe fiset shqiptare që janë sot janë të njëjtat, sepse kanë të njëjtën prejardhje. Në mesjetë në Greqi pati dyndje sllave dhe mendohet se ata kanë zhdukur një pjesë të madhe prej tyre. Por në histori dalin si shqiptarë në Greqi dhe në regjistrin osman nuk kemi të shkruar grekë apo helenë, por 70% e vendbanimeve kanë emra shqiptarë. Që do të thotë që janë disa gjëra ku duhet të ishte vënë në lëvizje gjithë historiografia botërore, pale ajo shqiptare.

Dritan Hila: Indro Montanelli në historinë e Greqisë thotë se dorët ishin një popullsi që vinin nga veriu, nga Dardania e sotme, pra të gjatë, biondë, me kuaj dhe qen.

Elena Kocaqi: Dorët ishin ilirë dhe gegë. Nëse krahasohet ADN-ja e sotme e Peloponezit në Greqi ku janë shqiptarë 70-75% edhe sot, me ADN-në e Kosovës është e njëjtë. Shumë njerëz nga Kosova më çojnë ADN-në e tyre që u thotë se janë greke dhe thonë: “Ne nuk jemi grekë!”. Por është e njëjta ADN për shkak të shqiptarëve që janë në Peloponez.

Dritan Hila: Ekspertët luftarakë thoshin se grekët në formacionet e luftimit nuk përdornin kalorësinë, por ishin ilirët.

Elena Kocaqi: Po e përdoronin ilirët dhe spartanët dhe oplitët që ishin ushtarë këmbësorë. Athina ku ishin pellazgë dhe spartanët që ishin dorë, ilirë kishin konflikte me njëri-tjetrin se pellazgët e mbanin veten më të kulturuar, më të qytetëruar se ilirët. Por ata ishin shumë luftarakë dhe arritën të bënin një shtet shumë të fuqishëm. Nga të dhënat e autorëve antikë del se dorët janë Ilirë.

“Grekët, pjesë e racës së shqiptarëve, janë pellazgë ose ilirë”

Historiania Elena Kocaqi tha në Shqip në Dritare TV se grekët janë pjesë e racës së shqiptarëve. Historiania u shpreh se në antikitet fiset greke kanë ikur nga Epiri dhe nga Iliria, pra sipas saj janë ose pellazgë ose ilirë.

Dritan Hila: Grekët kanë një tezë që thonë se shqiptarët janë një komb i krijuar nga Perandoria Otomane, bile dhe gjuhën ia kanë krijuar. Ndërsa ti u thua: “Ju jeni një komb i sajuar.”

Elena Kocaqi: Janë një damar, pjesë e racës së shqiptarëve. Unë e kam sqaruar në libër. Në antikitet fiset e tyre kanë ikur nga Epiri dhe nga Iliria, pra janë o pellazgë ose ilirë, s’ka asnjë tjetër.

Dritan Hila: Është një monument në Skinos, që është një fshat i humbur disa kilometra larg Athinës, ku jepen emrat e dëshmorëve të tyre të rënë gjatë luftës italo-greke. Dhe mbiemrat janë: Kryemadhi, Kokles.

Elena Kocaqi: Janë të gjithë shqiptarë. Ata kanë ose emrin ose mbiemrin para 600 vjetësh. Nëse e ka pasur mbiemrin ortodoks Logofeti, emrin e ka pasur Gjin, këtu kuptohet që është shqiptar. Dhe kështu është gjithë popullsia.

Nga buron emri toskë!

E ftuar në Shqip në Dritare Tv, historiania Elena Kocaqi foli për pellazgët. Sipas saj, pellazgët janë të dokumentuar nga autorët e vjetër. Ajo shpjegon edhe emrin “toskë” që sipas historianes, është rit fetar i pellazgëve dhe janë quajtur pellazgët e Epirit, siç edhe quhemi ne sot. Më tej ajo shton se duhen parë burimet antike, referim tek autorët antikë.

“Pellazgët janë të dokumentuar nga të gjithë autorët, romakë dhe grekë. Aristoteli, Herodoti, Plini. Gjithë këta studiues që kanë qenë më të mirët e antikitetit. Kur bëjmë historinë antike ne i referohemi atyre. Unë si studiuese, kur rikthehem në antikitet nuk mund të shpik fakte. Unë e argumentoj faktin, por nuk mund ta shpik. Ata kanë qenë më afër të vërtetës sepse kanë qenë më afër periudhës historike. Ata kanë vërtetuar se popullsia më e vjetër që ka banuar në territoret e gadishullit ilirik të Azisë. Dhe pellazgët dhe ilirët. Duke studiuar dhe hulumtuar historinë e fisve, si etruskët, toskët, kam kuptuar dhe historinë e këtyre të fundit, sepse nuk e dija. E shpjegojnë Dionisi i Halikarnasit dhe Plini. Ata thonë: Toskë është rit fetar i pellazgëve dhe quhen pikërisht pellazgët e Epirit “toskë” siç quhemi ne. Tani edhe pas 2000 vjetësh ne mbajmë emrin e pellazgëve “toskë”, siç e kanë pasur sipas ritmit të tyre fetar. Ata quheshin toskë dhe ne vazhdojmë të quhemi njësoj. Epiri është quajtur vetëm pellazgë, nuk është quajtur asnjëherë “Iliria”. Ky është gabimi numër një i historiografisë shqiptare, që nuk shikon burimet antike. Duhet ti referohen autorëve antikë”.