Sport Hodhën shishe në fushë, Vllaznia justifikon tifozët: Fajin e kishte arbitri

Hodhën shishe në fushë, Vllaznia justifikon tifozët: Fajin e kishte arbitri

Klubi i Futbollit Vllaznia ka reaguar pas skenave që u panë të shtunën në “Loro Boriçi” në ndeshjen Vllaznia-Tirana, me tifozët shkodranë që hodhën shishe plastike në fushë, duke detyruar arbitrin e ndeshjes që të ndërpriste takimin për disa minuta.

Sipas Vllaznisë, ajo që u pa ishte krejtësisht rezultat i mënyrës së gjykimit të ndeshjes nga Enea Jorgji.

“Klubi i Futbollit Vllaznia falenderon tifozerinë e mrekullueshme shkodrane për mbështetjen në ndeshjen me Tiranën. Si gjithmonë, tifozeria ishte “lojtari i 12-të” për kuqeblutë. Nga shkallët e “Loro Boriçit”, por edhe nga filmimet e mediave, u pa qartë se Vllaznia u penalizua nga një gjykim aspak profesional, aspak i paanshëm i arbitrave të ndeshjes dhe sidomos kryesorit Enea Jorgji. Një sjellje e tillë e arbitrave penalizoi Vllazninë me mohimin e dy penalltive, njëra nga të cilat u pranua dhe nga vetë trajneri i ekipit kundërshtar dhe të gjithë specialistët në studiot sportive. Gjatë gjithë ndeshjes, sjellja arrogante e arbitrit ishte provokuese dhe në dëm të garës e rezultatit të saj, rezultat i cili nuk reflektoi atë që u tregua në fushën e blertë. Kjo jo vetëm acaroi futbollistët në fushën e lojës, por krijoi reaksion edhe tek tifozeria në shkallët e stadiumit”, lexohet në reagimin e Vllaznisë.

“Në Shkodër është luajtur dhe luhet futboll gjithmonë. Në “Loro Boriçi” janë duartrokitur ekipe që edhe kanë shënuar ndaj Vllaznisë tonë. Shkodra ka dhe do të ketë gjithmonë tifozerinë më të mirë në të gjithë Shqipërinë sepse Shkodra dhe futbolli janë në një simbiozë mëse njëshekullore. Arbitrimi i Enea Jorgjit dhe ndihmësve të tij, solli një rezultat aspak të merituar për Vllazninë, e cila sivjet ka objektiva të qarta. Sivjet, Vllaznia me skuadrën që ka ndërtuar, me stafin teknik të përzgjedhur, ka synim të luftojë fort dhe ndershmërisht për trofetë e sezonit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Si gjithmonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi në fushën e blertë e jashtë saj, gjykim të paanshëm dhe profesional në “Loro Boriçi” dhe në çdo stadium tjetër”, shton klubi shkodran në reagimin e tij.