Aktualitet Hodhi foshnjën në lumë, 32-vjeçarja rrëfeu krimin dy ditë pas ngjarjes. Në...

Hodhi foshnjën në lumë, 32-vjeçarja rrëfeu krimin dy ditë pas ngjarjes. Në fillim gënjeu murgeshat

Vetëm dy ditë pasi doli nga materniteti ku solli në jetë djalin e saj, Orjana Gremi tregoi përpara murgeshave se kishte hedhur fëmijën në lumin Kir. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 4 janar, ditë kur 32-vjeçarja la spitalin e Shkodrës.

Tv Klan raporton se ka siguruar dosjen e plotë hetimore ku ndër të tjera thuhet se ka qenë vetë Gremi, tashmë e arrestuar, e cila ka kërkuar dërgimin e fëmijës së saj në Shtëpinë e Foshnjës, kërkesë për të cilën u vunë në dijeni dhe dy murgeshat që më pas do të referonin rastin.

Por 5 ditë pas lindjes më 5 janar, murgeshat vihen në dijeni se 32-vjeçarja  ishte larguar nga materniteti i Shkodrës. Pas kërkimeve të shumta kanë rënë në kontakt me të vetëm me datë 6 janar pasi e reja kishte dhënë adresë të rreme në spital.

Fillimisht ajo ka mohuar të ketë lindur fëmijë, por më pas ka pranuar faktin se e ka hedhur atë në lumin Kir. Përballë këtij fakti, murgeshat kanë kërkuar vetë për gjetjen e foshnjës. Në pamundësi për ta gjetur vetë dhe dyshimeve se 32-vjeçarja mund t’i gënjente, dy murgeshat i janë drejtuar policisë.

Përpara uniformave blu , vetë e reja ka rrëfyer ngjarjen. Kërkimet kanë nisur nga drejtimi i treguar prej 32-vjeçares, por është zbuluar se foshnja ishte hedhur nga ana e kundërt.

Fëmija i porsalindur u gjet i mbështjellë me batanije brenda një qese plastmasi, gryka e së cilës ishte mbyllur me tel plastik. Në vendin ku u gjet i pajetë foshnja, policia gjeti dhe dy receta mjekësore të Orjana Gremit, biberon dhe medikamente.

E reja aktualisht ndodhet në burg për akuzën e ‘vrasjes me dashje’, ndërsa përpara hetuesve ka deklaruar se fëmijën nuk kishte mundësi ta mbante./Tv Klan