Kryesore Holanda letër BE-së për rikthimin e vizave për Shqipërinë

Holanda letër BE-së për rikthimin e vizave për Shqipërinë

Holanda ka dorëzuar në Komisionin Europian kërkesë me shkrim për pezullimin e vizave për Shqipërinë. Kërkesa është bërë nga Robert de Groot, përfaqësues i Holandës në Bashkimin Europian.

Ne letrën dërguar komisionerit për emigracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopoulos, Groot thotë se kjo kërkesë vjen për shkak të rritjes së numrit të emigracionit të paligjshëm nga shqiptarët dhe përfshirjen e tyre në krimin e organizuar.

“Gjatë viteve të fundit, çështjet me shtetasit shqiptarë në Holandë kanë marrë vëmendje në publik. Shtetasit shqiptarë luajnë rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdam dhe Roterdam, e rajone të tjera të vendit. Një zhvillim tjetër është rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht e të rinjve që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Holanda i kërkon Komisionit të shqyrtojnë informacionin e dhënë dhe në konsultim me shtetet anëtare të vendosë për të ndërmarrë veprime bazuar në nenin 8(6a) që të luftohen në mënyrë efektive problemet me të cilat ballafaqohemi në lidhje me shtetasit shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në letrën e përfaqësuesit të Holandës në BE.

Më shumë se 1 muaj më parë, Parlamenti i Holandës votoi një rezolutë që kërkon rikthimin e vizave për Shqipërinë.

Letra dërguar nga përfaqësuesi i Holandës do të shqyrtohet nga Komisioni Europian.

Deri në një vendim përfundimtar, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën Schengen, përfshirë edhe Holandën, nuk ndryshon.