Aktualitet Holanda voton për rikthimin e vizave ndaj shqiptarëve, por ka një lajm...

Holanda voton për rikthimin e vizave ndaj shqiptarëve, por ka një lajm të mirë

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Parlamenti i Holandës ka votuar pro propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë për shkak të rritjes së kriminalitetit shqiptar.

Tre grupe parlamentare kanë paraqitur një mocion që ka bërë bashkë 92 deputetë, nga 150, duke votuar kështu me shumicë votash kërkesën për heqje vizash për Shqipërinë.

Më anë të këtij mocioni, parlamenti holandez i kërkon zyrtarisht qeverisë që të këmbëngulë në Bruksel për rikthimin e vizave për vendin tonë, pasi sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për të luftuar mafien shqiptare.

Edhe pse mocioni për heqjen e vizave është tanimë zyrtar, një kërkesë e tillë duhet të marrë mbështetjen e vendeve të tjera të BE dhe në veçanti atë të Komisionit Europian.

Lajmi i mirë

Lajmi i mirë është se vetë ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok e quan paraprakisht këtë kërkesën si të pamundur, duke thënë se vendet e tjera europiane nuk do të pajtohen me Holandën.

Blok u përgjigj se Shqipëria i plotëson kërkesat që u vendosën për heqjen e vizave dhe se Komisioni Europian nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje.

Këto kushte përfshijnë marrjen e masave adekuate kundër korrupsionit dhe parandalimit të krimit ndërkufitar. Megjithatë, sipas ministrit, edhe vetë Komisioni e pranon se Shqipëria ka shumë për të përmirësuar sa i përket kushteve të liberalizimit të vizave.

Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Grapperhaus gjithashtu tha se kjo kërkesë nuk ka gjasa të miratohet nga Brukseli, madje sipas tij një vendim i tillë do të ishte drastik, por aspak efektiv, pasi sipas tij, “mafia nuk ka nevojë për vizë që të hyjë në Holandë”.

Bandat shqiptare

Sipas mediave holandeze, policia dhe gjyqësori po kërkojnë rivendosjen e vizave me Shqipërinë pas 9 vitesh, nën arsyetimin se bandat shqiptarë luajnë një rol kyç në trafikimin e drogës dhe pastrimit të parave në Holandë.

Ministri holandez i drejtësisë e pranon se vendi i tij ka një problem serioz me bandat shqiptare. Sipas tij, Shqipëria sapo ka premtuar të marrë pjesë aktive në zbulimin dhe luftimin e këtyre bandave.

Përgjatë muajve të fundit, Policia holandeze ka ngritur shqetësimin se sheh se bandat shqiptarët po blejnë tonelata kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete të fuqishme shpërndarjeje nga Holanda në vende të tjera europiane.

Operacioni i fundit kundër mafies shqiptare në Holandë përfshiu rreth 600 oficerë dhe çoi në arrestimin e 64 anëtarëve të një rrjeti kriminal shqiptar. Operacioni i mbështetur nga Europol u organizuar më 5 prill dhe u zgjerua edhe në Belgjikë, Francë dhe Itali. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik drogë, trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.