Sport Holandës dhe Ekuadorit iu shkon mirë barazimi, por “tulipanët” ende nuk bindin

Holandës dhe Ekuadorit iu shkon mirë barazimi, por “tulipanët” ende nuk bindin

Një barazim që në fund iu rri mirë të dyjave, me nga një fitore në debutim dhe tani janë me nga 4 pikë në krye të grupit A.

I duhej një tjetër fitore, për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër, megjithatë Holanda nuk ia ka dalë të shkojë përtej barazimit 1-1 ndaj Ekuadorit, duke lënë të hapur gjithçka në grup.

“Tulipanët” e nisën vrullshëm ndeshjen dhe morën avantazhin që në minutën e 5-të me anë të Gakpo, i njëjti që shënoi gol edhe ndaj Senegalit, megjithatë vetëm kaq, pasi amerikano-latinët erdhën vazhdimisht në rritje.

Pas disa mundësive, Ekuadori ia doli të shënojë në shtesën e pjesës së parë, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje të një ekuadoriani, i cili nuk preku topin, por ishte para rrezes së portierit.

Megjithatë festa e ekuadorianëve nuk mund të ndalej më në fillim të pjesës së dytë, teksa pas grushtimit të Noppert, Enner Valencia ishte në vendin e duhur për ta shtyrë në rrjetë dhe për të shënuar golin e tretë që e bën golashënuesin më të mirë të Botërorit deri tani.

Pak minuta më vonë Ekuadori iu afrua edhe golit të fitores, por këtë herë traversa i mohoi përmbysjen e madhe, teksa vlen të theksohet se ndonëse me 4 pikë, Holanda nuk bind pas dy ndeshjeve të para.