Shkencëtarët kanë zbuluar se periudha e vitit kur keni lindur mund të ketë më shumë impakt sesa mendohej dhe mund të influencojë në mënyrën sesi një njeri do të vdesë.
Në veçanti, shkencëtarët thonë se muaji që keni lindur lidhet me rrezikun për të vdekur nga sëmundjen e zemrës.
Ky është lajm i keq sidomos për njerëzit e lindur në pranverë dhe verë, pasi kanë më shumë gjasë që të vdesin nga sëmundje vdekjeprurëse më vonë gjatë jetës së tyre, krahasuar me ata që kanë lindur në vjeshtë.
Ekspertët sugjerojnë se kjo mund të lidhet me ndryshimin sezonal të dietës ushqimore, nivelit të ndotjes së ajrit dhe masës së rrezeve të diellit para lindjes dhe në vitet e para të jetës.
Shkencëtarët amerikanë dolën në këtë konkluzion pasi 116,911 infermiere amerikane të rekrutuara në studimin Nurses’Health në vitin 1976 ekzaminuan lidhjet mes kohës së lindjes dhe vdekjeve në mënyrë të përgjithshme dhe vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare.
Pjesëmarrësit ishin të moshës 30 deri në 55 vjeç në fillim të studimit dhe plotësuan një pyetësor të plotë dhe të detajuar për shëndetin dhe stilin e tyre të jetesës, çdo 2 vjet.
Për të identifikuar shkaqet e vdekjeve përgjatë 38 viteve (1976-2014) u përdorën edhe certifikatat e vdekjeve dhe të dhënat mjekësore.
Gjatë periudhës së studimit u dokumentuan më shumë se 43 mijë vdekje, prej të cilave 8,360 ishin vdekje që kishin ardhur si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare.
Pasi u morën në konsideratë disa faktorë të historisë familjare, ekonomike dhe sociale, shkencëtarët zbuluan se femrat e lindura në pranverë dhe verë kishin një rritje të lehtë, por domethënëse, të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me ato të lindura në vjeshtë.
Pavarësisht këtyre të dhënave, sipas asaj që shkruan e përditshmja The Sun, ekspertët thonë se ky është një studim vëzhgues, ndaj dhe nuk mund të përcaktojnë shkakun dhe nuk mund të përjashtojnë mundësinë që disa prej rezultateve mund të kenë ardhur si pasojë e disa faktorëve të pa matur.
Në studimin e tyre, shkencëtarët thonë se “kjo shton të dhënat në rritje që sugjerojnë se ata që lindin në vjeshtë dhe verë kanë më shumë shanse të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare në krahasim me ata që lindin në vjeshtë. Megjithatë duhen hetime të mëtejshme për të konfirmuar gjetjet aktuale dhe për të zbuluar mekanizmat e efekteve të lindjeve në stina të caktuara”.