Aktualitet “Horror në Tiranë”, çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për tërmetin në Shqipëri

“Horror në Tiranë”, çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për tërmetin në Shqipëri

“Horror në Tiranë”, “Tërmeti me magnitudë 5.6 shkund ndërtesat në Shqipëri”, “Shqipëria lëkundet nga tërmeti i fortë, raportohet për dhjetëra të plagosur”. Këto janë disa prej titujve të mediave ndërkombëtare, të cilat kanë pasqyruar gjerësish lëkundjet sizmike që tronditën këtë të shtunë vendin tonë.

Tërmeti me magnitudë 5.6 dhe ai që pasoi me magnitudë 5.2, ashtu sikurse personat e lënduar dhe dëmet materiale, janë pasqyruar nga mediat italiane, tek ato britanike e amerikane.

“Reuters”, “New York Times”, “Mirror”, “Euronews”, “Express”, etj, pasqyruan me foto e video nga Tirana dhe qytete të tjera pamjet e njerëzve nëpër rrugë, si dhe ndërtesat e dëmtuara, ashtu sikurse edhe pamjet e godinës së Fakultetit të Gjeologjisë, që pësoi dëme të konsiderueshme.

Duke cituar autoritetet shqiptare, mediat ndërkombëtare theksojnë se ky i sotmi vlerësohet të jetë një prej tërmeteve më të fuqishme në vend në 30 vitet e fundit.

Reuters sjell edhe dëshmi. ”Fqinjët dolën duke ulëritur. Falë zotit nuk zgjati shumë, rreth 20 dekonda. Ishte një tmerr i vërtetë në katin e 10. Nuk mbaj mend një tërmet tjetër më të fortë se ky”, tha një pensionist 67-vjeçar për agjencinë e lajmeve.

Ndërsa për Mirror Online, një banor i Durrësit u shpreh: “Herën e dytë (tërmetin e dytë që ra me magnitudë 5.2) apartamenti im gati po shembej. Ishte mrekulli që ndërtesa i mbijetoi. Këto pallate nuk janë bërë për t’i mbijetuar tërmeteve të tilla”.