Kosova Hoti: Nuk ka ndarje mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun

Hoti: Nuk ka ndarje mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun

Pas takimit që pati me përfaqësues të nivelit më të lartë në Bashkimin Europian, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti doli në një konferencë për mediat këtë të shtunë.

Një nga çështjet më të rëndësishme për të cilën u pyet Hoti ishte ajo për aktakuzën kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Pavarësisht ndryshimeve në axhendën e ditëve të fundit, ne mbetemi të fokusuar në dialog. Besoj thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe tek përfaqësuesit europianë. Është në interes të Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejt”, tha Hoti.

Kryeministri u shpreh se po përgatitet për samitin e BE-së në lidhje me dialogun. Ai u shpreh se është rënë dakord që të shtyhet takimi në Uashington. Takimi i radhës sipas Hotit do të drejtohet nga ai vetë.

Kreu i qeverisë kosovare sqaroi se takimi në Uashington dhe samiti në Paris në lidhje me dialogun janë në koordinim të plotë mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

“Në publik duken si dy procese të ndara, takimi në Uashington dhe samiti i Parisit. Nuk janë të ndara. Unë ju them me bindje të plotë që ka koordinim të plotë mes Uashingtonit dhe qendrave kryesore të BE-së në këtë proces. Unë e shoh rolin e BE-së dhe SHBA-së komplementare në këtë proces”, tha Hoti.

Ai u shpreh se përfaqësuesit europianë kanë pranuar që Kosova ka plotësuar kushtet që janë vendosur për liberalizimin e vizave. Ndër të tjera, Hoti tha se bisedoi me ta edhe për luftën ndaj pandemisë. Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se duhet punuar që të përballohet vala e dytë e koronavirusit.