Bota “Huawei”, edhe Polonia arreston një person për spiunazh përkundrejt Kinës

“Huawei”, edhe Polonia arreston një person për spiunazh përkundrejt Kinës

| Nga American Eye
Shpërndaje

Në Poloni janë arrestuar dy persona, nën akuzat se kanë spiunuar për llogari të Kinës. Bëhet fjalë për një shtetas kinez, që mediet lokale e përshkruajnë si drejtor të “Huawei”, dhe një polak.

Arrestimet vijnë pas një viti të vështirë për “Huawei”, gjatë të cilit u arrestua vajza e themeluesit të kompanisë në Kanada, ndërkohë që SHBA po përpiqet ta fusë kompaninë në një “listë të zezë” ndërkombëtare, në lidhje me shqetësimet e sigurisë.

“Dy të arrestuarit dyshohen për spiunazh për llogari të shërbimeve kineze të zbulimit, kundër Polonisë. Ky është një hetim serioz, për ngjarje serioze që kërcënojnë sigurinë e Polonisë”, tha Stanislaë Zaryn, zëdhënës i shërbimit special polak.

Ministria e Jashtme e Kinës thotë se është e shqetësuar nga arrestimi i shtetasit kinez, ndërsa “Huawei” njoftoi në një deklaratë për shtyp se ishte në dijeni të situatës, po e ndiqte atë, por nuk do të bënte komente për momentin.

Njoftimi i Polonisë vjen pak javë pasi Kanadaja arrestoi zëvendëspresidenten e “Huawei”-t, Meng Uanzhou, që akuzohet se ka shkelur sanksionet mbi Iranin. Gjiganti i telekomunikacionit kinez, i themeluar nga një ish-inxhinier i ushtrisë kineze, përballet po ashtu me probleme edhe për lidhjet e tij të supozuara me shërbimet kineze të zbulimit.

Vende si SHBA, Australia dhe Japonia e kanë ndaluar “Huawein” të bëhet pjesë e ndërtimit të rrjeteve super të shpejta të internetit 5G.