Aktualitet Huffington: Mafia shqiptare e drogës në bankat e shkollës

Huffington: Mafia shqiptare e drogës në bankat e shkollës

Një rast i rëndë ka alarmuar autoritetet greke në Athinë pas çmontimit të katër grupeve kriminale që shisnin drogë nëpër gjimnazet e kryeqytetit grek.

Dhjetra gjimnazistë ishin klientë të këtyre grupeve kriminale, duke blerë hashash, kokainë dhe ekstazi.

Huffington Post në gjuhën greke ka mësuar nga burime policore se një nxënëse kishte humbur ndjenjat nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Nga operacioni i policisë së Athinës në datat 19 dhe 20 Dhjetor u arrestuan 15 anëtarë të grupeve kriminale, mes të cilëve 8 shqiptarë dhe 7 grekë të moshave 16 deri në 32 vjeç.

Përveç tyre janë arrestuar edhe tre prindër, dy grekë dhe një shqiptar për neglizhencë të mbikëqyrjes së të miturve, pasi disa prej të arrestuarve janë adoleshentë.

Nga hetimet ka rezultuar se anëtarët e grupeve kriminale u shisnin drogën përdoruesve nëpër vende publike, si sheshet dhe parqet.

Hetuesit grekë thonë se për të mos u zbuluar nga policia dhe nga frika e përgjimeve, të arrestuarit përdornin fraza të koduara dhe në shumë raste flisnin shqip kur komunikonin me njëri-tjetrin.

Për çmontimin e organizatës kriminale të përbërë nga katër grupe, u deshën disa muaj hetime sistematike duke mbledhur çdo dëshmi të veprimtarisë së të dyshuarve.

Mediat nuk kanë bërë të ditur emrat e shqiptarëve të arrestuar që kanë qenë pjesë e bandës.