Kryesore Humb jetën tragjikisht legjenda Kobe Bryant

Humb jetën tragjikisht legjenda Kobe Bryant

Ish-basketbollisti legjendar Kobe Bryant është ndarë tragjikisht nga jeta pas një aksidenti me helikopter në kodrat e Calabasas, 50 Km në veriperëndim të Los Anxheles.

Ai po udhëtonte me të paktën 3 persona të tjerë në helikopterin e tij privat, mes tyre edhe vajza e tij 13 vjeçare, Gianna. Këtë e ka konfirmuar për NBA ish-kryetari i Komunës së Calabasas, David Shapiro. Bashkë me pilotin janë 5 persona të vdekur.

Mësohet se mjeti fluturues ka shpërthyer në flakë. Është kërkuar ndihmë e emergjencës por ishte tepër vonë. Shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë ende nën hetim.

Kobe është një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave në NBA. Ai ka marrë pjesë 18 herë në ekipin All Star, në karrierën e tij 20 vjeçare me Los Angeles lakers.

Ai është i katërti në listën e shënuesve më të mirë në kampionatin amerikan të basketbollit

Pasi la basketbollin, Ekipi i Los Angeles Lakers, tërhoqi fanelat me numër 8 dhe 24 të mbajtura prej tij, në shenjë nderimi se një lojtar i tillë do të mbetet i papërsëritshëm. Ai është i vetmi basketbollist në këtë skuadër që mori një nderim të tillë.

Arritjet e tij i tejkalojnë stadiumet e basketbollit. Kobe Bryant madje ka fituar edhe një çmim Oskar për një filmin me metrazh të shkurtër me titull “Dear basketboll”, (i dashur basketboll).

Kobe Bryant ishte 41 vjeç. Ai la pas bashkëshorten dhe katër vajza.