Politika Humbi betejën me COVID-19/ Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kasem...

Humbi betejën me COVID-19/ Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut

Kasem Hysenbelliu, themelues dhe drejtues në fushën e medias, është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi humbi betejën me COVID-19.

Meta: Tronditës dhe të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu

Presidenti Ilir Meta e konsideroi sot tronditës dhe të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu.

“Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme. Solidaritet me të gjithë gazetarët, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar”, tha Meta.

Basha: Qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu po ashtu hidhërimin për lajmin tronditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. “Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë dhe kolegët. Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias. Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe”, tha Basha.

Veliaj: Ditë e trishtë për gazetarinë

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se “Kasëm Hysenbelliu investoi në median shqiptare me guximin e njeriut që e donte gazetarinë e mirë dhe për shumë vite administroi me sukses dy televizione”. “Sot ai u nda nga jeta – ditë e trishtë për gazetarinë dhe këdo që e njohu e punoi me të. Ngushëllime familjes! U prehtë në paqe”, tha Veliaj.

Balla: Lamtumirë miku im i mirë, Kasem Hysenbelliu

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu po ashtu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliut.

“Lamtumirë miku im i mirë, Kasem Hysenbelliu”, tha Balla.

Ruçi: Lamtumirë, Kasem, miku ynë i shtrenjtë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përcolli po ashtu mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të themeluesit të TV Fax News, Kasem Hysenbelliu

“Ndaj dhimbjen me nënën, bashkëshorten dhe fëmijët e Kasëmit, në ditën më të rëndë të jetës së tyre. Kasëm Hysenbelliun do ta kujtojmë e nderojmë përgjithmonë si një qytetar i denjë i Shqipërisë, si një kontribues mendjehapur i konsolidimit të medias së lirë, në shërbim të interesit publik e qytetar, si një sfidant i vështirësive për tiu përkushtuar vendit, shoqërisë dhe qytetarëve. Lamtumirë, Kasem, miku ynë i shtrenjtë!”, shprehet në mesazhin e tij të ngushëllimit kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.