Kryesore Humbi jetën nga COVID-19/ Kush ishte Skënder Kurti, boksieri dhe ish-trajneri i...

Humbi jetën nga COVID-19/ Kush ishte Skënder Kurti, boksieri dhe ish-trajneri i famshëm

Ka ndërruar jetë sot si pasojë e koronavirusit trajneri i boksit, Skënder Kurti, duke e çuar në 21 numrin e viktimave.

Lajmin e ka konfirmuar edhe ministria e Shëndetësisë, e cila tha se Kurti ishte i shtruar në spital prej 20 ditësh. Rreth dy javë më parë, Kurti pësoi edhe vdekje klinike, por u rikthye sërish në jetë.

“Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Teksa i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit, Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

“Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.”

Kush ishte Skënder Kurti

Përveç se një trajner tepër i përkushtuar dhe i suksesshëm, Kurti ka qenë gjithashtu edhe boksier kampion me ekipin e Tiranës.

Skënder Kurti ka luajtur me dhjetra ndeshje boksi brenda dhe jashtë vendit. Ai cilësohej si një ndër boksierët më të mirë në vend, kur ishte i ri.

Për disa vite ka qenë zv.trajner dhe më pas mori drejtimin e ekipit të boksit kombëtar. Janë me dhjetëra tituj që ka fituar brenda vendit si boksier, por edhe si trajner.