Sport Humbja me Francën, Hysaj: Nuk është e drejtë të shahemi në rrjetet...

Humbja me Francën, Hysaj: Nuk është e drejtë të shahemi në rrjetet sociale

Elseid Hysaj ishte sot në krah të trajnerit Edi Reja në konferencën për shtyp para ndeshjes me Islandën, ku shkodrani pritet të mbajë shiritin e kapitenit, në mungesë të Mërgim Mavrajt, që pritet ta nisë nga stoli.

Mbrojtësi shkodran i quajti të padrejta kritikat pas ndeshjes me Francën, ndërsa theksoi se skuadra është e karikuar maksimalisht për të bërë një ndeshje mjaft të mirë përballë Islandës. Ai nuk ngurroi t’i bëjë komplimente edhe Kosovës.

Duket se e doni shumë shiritin, por kohët e fundit ai nuk u ka sjellë fat lojtarëve që e kanë mbajtur. Për ty përbën problem kjo përgjegjësi?

Unë jam i kënaqur që të mbaj shiritin, pasi është nder dhe përgjegjësi për mua, që të përfaqësoj vendin tim si kapiten. Besoj se në disa raste kam sjellë edhe fat, pasi kemi marrë fitore. Besoj se do t’ia dalim edhe këtë herë.

Pas Francës pati shumë kritika ndaj jush. Sa rëndojnë këto kritika te lojtarët?

Përsa i përket ndeshjes me Francën e dimë të gjithë se kemi pas probleme me zhgënjimet, tifozeri e ata që flasin në rrjetet sociale, janë pak ata që ofendojnë, janë të gjithë ata pas kompjuterit që ofendojnë, është normale që një lojtar të gabojë në fushë. Nuk është e drejtë, që të na sulmojmë, ne vijmë këtu jo për të luajtur për para, por të luajmë për shtetin tonë dhe japim maksimumin për kombëtaren. Ne nuk kemi aq potencë të mundim Francën, njerëzit prisnin që ne të shkonim aty dhe të fitonim, do shkonim të mbroheshim dhe të luanim për të marrë një rezultat pozitiv.

Ndryshon kundërshtari, por edhe futbollistët. A ju nxjerr probleme kjo juve lojtarëve me eksperiencë?

Jo, pasi unë kam rolin tim në fushë dhe mundohem të bëj më së miri punën time. Askush nuk ka nevojë të bëjë gjëra ekstra, por të bëjë punën e tij në fushë. Nesër besoj se do të arrijmë të shprehemi mirë dhe të marrim maksimumin. Kam besim te skuadra dhe jemi të karikuar për të dhënë më të mirën.

Humbja me Francën a sjell më shumë presion për ndeshjen e nesërme?

Dihet që do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjithë skuadra ndjen se është momenti ynë nesër dhe se jemi gati të bëjmë një ndeshje shumë të bukur, për të marrë edhe fitoren.

Besoni se Kosova po bën disa gjëra që Shqipëria nuk mund t’i tregojë?

Unë Kosovës i uroj shumë suksese. Ata kanë brenda zjarrin që patëm ne kur arritëm të shkojmë në Europian dhe u uroj që të vazhdojnë kështu.