Sport Humbjet në minutat e fundit, mallkimi që ka nisur para 40 vitesh

Humbjet në minutat e fundit, mallkimi që ka nisur para 40 vitesh

Shqipëria vazhdon të humbasë në minutat e fundit. Një histori e nisur gati 40 vite më parë, që ende vazhdon. Pak rëndësi ka si kemi luajtur. Nëse kombëtares shqiptare i duhet veçuar minusi më i madh, ai duhet të jetë pësimi i humbjeve në minutat e fundit.

Një e metë që nuk u pa për herë të parë të shtunën e 11 tetorit në Stamboll dhe që fatkeqësisht do të duhet ta shohim përsëri. Nëse kemi qenë në 1983 apo në 2019, në eliminatore Europiani e Botëror, apo në finalet e Europianit, dallimi ka qenë i vogël, thuajse i papërfillshëm. Pak rëndësi nëse në stol ka qenë një trajner shqiptar, me rrogë të vogël e përvojë të kufizuar, apo një teknik i huaj, shumë më i njohur në botë.

Kush e harron disfatën me Francën në Euro 2016, kur Antuan Grizman realizoi pikërisht në fund, në “Stade de France” të Parisit? Po dështimin zhgënjyes me Portugalinë në eliminatoret e po atij Europiani, në “Elbasan Arena”, kur pësuam ndërsa ndeshja thuajse po mbyllej? E njëjta gjë ndaj Serbisë, në të njëjtin grup dhe po “Elbasan Arena”, ku dy rrjetat e humbjes 0-2 u pësuan në fund.

Historia nis shpejt. Në vitin 1983, në prani të 41 000 tifozëve, në Zarbryken Gjermania Perëndimore fitoi ndaj nesh 2-1 me golin e Shtrakut 10 minuta para fundit. Në vitet 1993, shtylla e Ledio Panos në sekondat shtesë nuk na lejoi të barazonim 2-2 me Gjermaninë, tashmë të bashkuar, në “Qemal Stafa”.

Kaluan 4 vjet dhe ndërsa në Shqipëri vazhdonin trazirat e rënda, kombëtarja luante një nga ndeshjet më të shkëlqyera, humbur 3-4 pas një goli në minutat shtesë. Gol që shqiptarët nuk e panë direkt nga televizori, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në vitin 2001, në Leverkusen u ndëshkuam nga Gjermania 1-2, me golin e parë të realizuar në kombëtare nga Miroslav Klose, që vendosi rezultatin në minutën e 88-të. Në shtator të vitit 2009 humbëm 1-2 në “Qemal Stafa” me Portugalinë, sërish në sekondat përmbyllëse, në eliminatoret e Kupës së Botës 2010. Urimi është që pësimi i Stambollit të bëhet mësim, por duket e vështirë.