Aktualitet Hyrje/daljet e paligjshme në rrugë, Bashkia e Tiranës masa për të rritur...

Hyrje/daljet e paligjshme në rrugë, Bashkia e Tiranës masa për të rritur sigurinë e qytetarëve

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor dhe në përfundim të afatit 15 ditor që subjektet private kishin për t’u pajisur me autorizim për krijimin e hyrjeve dhe të degëzimeve në rrugët urbane, Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për mbylljen e të gjitha hyrjeve dhe daljeve në rrugët urbane të paautorizuara dhe që bien në kundërshtim me rregullat që përcakton Kodi Rrugor dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Prej disa ditësh skuadra të posaçme të Bashkisë së Tiranës po vijojnë punën duke vendosur kangjella hyrjet dhe daljet e paligjshme nëpër rrugët kryesore të Tiranës, të cilat krijojnë një trafik në qarkullimin e mjeteve si dhe në shumë raste janë bërë shkak për aksidente me rrezik jetën e qytetarëve.

Aksioni ka nisur nga aksi rrugor që nis nga sheshi “Skënderbej” dhe që shkon  në drejtim të autostradës, ku dhe janë konstatuar probleme më të mëdha në këtë drejtim. Aksioni është i bazuar në përcaktimet që bënë Kodi Rrugor dhe se veç këtij aksi rrugor ai do të shtrihet edhe në rreth 22 rrugë të tjera në Tiranë. Përjashtim deri më tani kanë bërë hyrjet dhe daljet e shërbimeve spitalore, shkolla apo hyrje në qendra të banuara.

Ndërkohë që të gjitha bizneset, të cilat e kanë pasur akses abuziv dhe të paautorizuara nga instancat përkatëse, do duhet të bëjnë një kërkesë në Bashkinë e Tiranës dhe më pas drejtoria përkatëse e transportit, e cila merret me monitorimin dhe përputhshmërinë ligjore të këtyre bizneseve në raport me aksesin që kërkojnë, do të marrë një vendim nëse këto biznese do kenë një akses në atë rrugë kryesore apo jo, apo do ketë një akses alternativ në rrugë dytësore.

Pajisja me autorizim për përdorimin e hyrjeve dhe degëzimeve ekzistuese ose të reja në rrugët urbane, apo rrugë-kalimet e automjeteve në trotuar, është detyrim ligjor i parashikuar në ligjin nr. 8378, datë 20.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, si dhe vendimit nr. 153, datë 07.04.2000 të Këshillit të Ministrave “Rregullore e zbatimit të Kodit Rrugor”. Mos pajisja me autorizim nga enti pronar i rrugës në rastet e sipërcituara, kur nuk përbën vepër penale, kundërvajtësi dënohet me masë administrative, sipas përcaktimeve të nenit 22, pika 11 të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë hapash që synojnë të rrisin sigurinë e qytetarëve në rrugë, por edhe që i vijnë në ndihmë lehtësimit të trafikut, ku veç bllokimit të hyrje-daljeve në rrugët kryesore, ka vijuar puna edhe për vendosjen e kangjellave që orientojnë lëvizjen e qytetarëve në kryqëzimet kryesore.