Aktualitet I bëri dosjen për burg Tahirit, Kryeprokurorja e Tiranës kërkon divorcin

I bëri dosjen për burg Tahirit, Kryeprokurorja e Tiranës kërkon divorcin

Prokurorja e njohur Elisabeta Imeraj është duke u ndarë nga bashkëshorti i saj, noteri Agron Bajri.

Imeraj ka dorëzuar në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranë një kërkesë për zgjidhje martese, e cila është regjistruar më datë 24 tetor.

“Kërkoj zgjidhjen e martesës sime dhe të paditurit Agron Bajri dhe rregullimin e pasojave të saj”, shkruhet në kërkesën e prokurores Imeraj drejtuar gjykatës.

Martesa e tyre ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike për disa kohë për shkak të akuzave ndaj bashkëshortit, ndërkohë që Imeraj po bëhet gati për të kaluar vettingun.

Imeraj ka qenë prokurore e Krimeve të Rënda, ndërsa tani drejton Prokurorinë e Tiranës.

Sëbashku me Gentian Osmanin dhe Besim Hajdarmatajn ata ishin treshja e prokurorëve që kërkuan arrestimin e Saimir Tahirit më shumë se një vit më parë përballë deputetëve të Kuvendit, të cilët refuzuan heqjen e imunitetit të ish-ministrit.

Deri më tani nga kjo treshe kanë kaluar në vetting Gentian Osmani dhe Besim Hajdarmataj. Osmani u “dogj”, ndërsa Hajdarmataj e kaloi me sukses dhe tani pritet nëse do të apelohet vendimi i KPK-së pasi të zbardhet.

Imeraj është e treta që pritet të kalojë në vetting dhe ky divorc është pikërisht pak javë para se të fillojë shqyrtimi i dosjes së saj.