Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh i bindur se opozita do korrë fitoren më të thellë e të madhe ndonjëherë më 11 Maj.
“Do ta paketojmë pas zgjedhjeve”, kështu u shpreh sot para protestuesve kryedemokrati Sali Berisha për kryeministrin Edi Rama. Për të, ky miting nuk është elektoral, por ama thekson se “Edi Ramën e ka trembur programi i Partisë Demokratike”.
“Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze”, tha Berisha.
Më tej renditi një sërë pikash të programit të partisë që e cilëson “atë të taksave të ulëta”.
“3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet, fitorja varet nga ne! Fitorja në rast se ne e bëjmë natën ditë, përkushtohemi, ne do korrim një nga fitoret më të thella. Mos harroni, se fitoret e arritura deri tani, i arritëm në kushtet më të vështira, por tani që Trump i ka prerë kokën gjarprit Soros në Uashington, e kuptoni se ç’do të thotë apo jo?!“, deklaroi Berisha.
Pas protestës Berisha u nis për një takim në Itali, por përmendi para mbështetësve të tij mesazhet që mori nga takimi i zhvilluar në Gjermani këtë javë. “Të dashur miq, pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, Bashkimit Kristian Demokrat Gjerman CDU. Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve. Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë”, tha Berisha.
Pasi valëviti flamurin kuqezi në podium, zëdhënësja e kësaj partie Floriana Garo njoftoi se ai do të niset “direkt për në Romë, për takimin e tij me qytetarët atje”.