Kryesore I cilësoi shqiptarët si kriminelë, Dua Lipa e ashpër me ministren britanike:...

I cilësoi shqiptarët si kriminelë, Dua Lipa e ashpër me ministren britanike: Mendjengushtë

Ylli i muzikës me famë botërore, Dua Lipa ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të ministrave britanikë në lidhje me deklaratat e tyre për emigrantët e paligjshëm që hyjnë në Britaninë e Madhe.

Këngëtarja, e lindur në Londër, por me prindër shqiptarë, i ka cilësuar si të pamenduara mirë dhe dritshkurtërsa deklarata e disa zyrtarëve britanikë, mes të cilëve dhe ministrja e Brendshme, Suella Braverman.

Disa kohë më parë, ministrja Braverman u shpreh në parlamentin britanik se kriminelët shqiptarë po pushtojnë Anglinë përmes varkave të vogla në kanalin e La Manshit.

Në një intervistë për “Sunday Times”, Lipa shprehet se ndihet e lënduar.

“Kur sheh qeverinë që flet në një mënyrë të tillë për shqiptarët të bën të ndjehesh keq. Është dritshkurtësi dhe mendjengushtësi, por shumë njerëz mendojnë në të njëjtën mënyrë. Pavarësisht se t’i përpiqesh shumë që të ndryshosh retorikën, ka ende nga ata që mendojnë se “emigrantët po vijnë në vendin tonë dhe po na marrin vendet e punës”, tha ylli i muzikës pop.

“Megjithatë, emigrantët që kanë ardhur këtu ja kanë dalë duke punuar shumë fortë. Duhet të tregojmë më shumë empati, pasi njerëzit nuk largohen nga vendi i tyre deri në momentin kur e kanë të pamundur dhe kanë frikë për familjen e tyre”, përfundoi Dua Lipa.

Më herët gjatë këtij viti, Sekretarja Braverman etiketoi shqiptarët si kriminelë dhe pretendoi se kishte një pushtim të Anglisë nga ata që kalojnë kanalin Anglez me anije. Por kjo deklaratë e saj hapi një debat të ashpër.

Shqiptarët dolën në protesta në Londër kundër saj. Kryeministri Edi Rama kritikoi personalisht komentet e Braverman. Gjatë një takimi me Rishi Sunak në Londër në muajin Mars, Rama mori shembull Dua Lipën për të treguar se çfarë shqiptarët kanë sjellë në Britaninë e Madhe.