Dy shqiptarë janë raportuar të zhdukur përgjatë 24 orëve të fundit në Zvicër dhe Skoci. Rasti i parë ka të bëjë me 36-vjeçarin Halit Mujaku, i dënuar për grabitje, i cili po kurohej në një klinikë në Winterthur të Zvicrës.
Ai është arratisur prej andej në orën 04.20 të kësaj të diele dhe prej asaj kohe është në kërkim. Policia thotë se Mujaku njihet si tepër agresiv, është përdorues droge dhe ka një shenjë të dukshme në krahun e majtë.
Gjithashtu policia rekomandon vëmendjen më të madhe pasi personi i arratisur mund të sillet në mënyrë agresive. Personave që janë në gjendje të japin informacione për personin e kërkuar u kërkohet të kontaktojnë policinë e kantonit të Cyrihut, telefon: 044 247 22 11.
Në rastin e dytë bëhet fjalë për 17-vjeçarin Olti Gega, i cili u pa për herë të fundit në zonën Camagael të Fort William, Skoci, rreth orës 12.00 të së shtunës.
Rreshteri Michael Bell që po ndjek rastin tha se “po shqetësohemi gjithnjë e më shumë për Oltin dhe do të nxisja këdo që beson se mund ta ketë parë atë ose që ka ndonjë informacion, të na kontaktojë sa më shpejt të jetë e mundur, në numrin 101”.