Sport I dyti më i dobët në Serinë A për goditjet e dënimit,...

I dyti më i dobët në Serinë A për goditjet e dënimit, statistika që ndëshkon Ronaldon

Cristiano Ronaldo është ekzekutuesi i dytë më i dobët i goditjeve të dënimit në Serinë A. Në Itali ka një debat në lidhje me pikën se cili duhet ta marrë këtë përgjegjësi tek Juventusi. Portugezi ka goditur 24 herë, duke mos shënuar asnjë gol, ndërsa Pjanic ka shënuar 1 herë në 6 tentativa.

Pas sfidës se Juventusit me Veronën, të dielën e kaluar, debati mbi këtë çështje në “Shtëpinë e Zonjës” së vjetër mbetet i hapur. Si zakonisht, Ronaldo ka bërë një hap para, duke i marrë ai përsipër, megjithëse iniciativa nuk i mungon as Miralem Pjanicit.

Vetë portugezi e ka pranuar që nuk po rezulton i saktë te goditjet e dënimit, pasi në të gjitha kompeticionet ka dështuar të shënoj në 24 raste: 15 janë ndalur në murin mbrojtës, 2 kanë përfunduar jashtë dhe 7 janë pritur nga portieri. Ndërsa Miralem Pjanic ka pasur mundësinë të godasë 6 herë, duke realizuar vetëm ndaj Brescias.

Vetëm në Serinë A Ronaldo ka humbur 18 mundësi, duke qenë i dyti më i dobët në historinë e Serisë A pas Camilo Cianos.

Lojtari i Frosinones sezonin e kaluar 21 mundësitë që pati i shpërdoroi të gjitha. Pas kësaj statistike me të drejtë në Itali kanë nisur të pyesin të gjithë: Mos ndoshta duhet që Pjanic të jetë ai i cili merr përsipër goditjet e dënimit dhe Ronaldo të bëjë një hap pas këtë herë?