Politika I gjetën dyert e mbyllura në PD, deputetët e Grupit të Rithemelimit:...

I gjetën dyert e mbyllura në PD, deputetët e Grupit të Rithemelimit: Selia si burgu Alcatraz. Do e rikthejmë në shtëpi lirie

Një pjesë e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike ka shkuar sot në selinë e Partisë Demokratike dhe kanë tentuar që të futen brenda selisë.

Por pasi kanë tentuar të gjithë hyrjet kanë parë që të dyert ishin të mbyllura. Pasi nuk mund të hynin në seli, Flamur Noka, në një deklaratë për mediat hodhi akuza kundër kreut të PD, Lulzim Basha, për të cilin tha se e ka kthyer selinë në një burg të sigurisë së lartë.

Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i komisionit të rithemelimit të PD-së, akuzoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën se e kanë kthyer selinë e PD-së në një burg.

“Erdhëm në seli, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje në lidhje me agjendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD-ja për vitin 2022. Sot, PD-ja do të duhet të ishte një ambient festiv ku të gjenin veten të gjithë demokratët. Për fat të keq, Edi Rama e ka kthyer me pengun e tij, në një Alcatraz të kohëve moderne. Të gjitha dyert e mbyllura, gjithçka e blinduar, a thua se e ka kthyer PD-ja në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme, e neveritshme”, tha Noka, pasi ai dhe disa deputetë të tjerë të PD-së i gjetën të mbyllura të gjitha dyert për t’u futur në seli.

“Pengu i Edi Ramës mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rama të zgjasë jetën e pushtetit. Por Rama e ka gabim, kurrë nuk mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve. Në datën 8, demokratët do të marrin frymë lirisht”, përfundoi Noka.