Politika “I gjithë Durrësi flet për ty,” Berisha-Manjës: Ti i tregove Dakos që...

“I gjithë Durrësi flet për ty,” Berisha-Manjës: Ti i tregove Dakos që do të arrestohej

Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja se ka informuar ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako se do të arrestohej me urdhër të SPAK.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor për dosjen e Vangjush Dakos, pasi lajmi për arrestimin e tij nisi të qarkullonte disa dita përpara se të ekzekutohej masa e arrestit.

Megjithatë, sipas Berishës, sekreti është nxjerrë nga vendi kreu i “Drejtësisë”, Ulsi Manja.

“Vendin e ke te Gjushi. Ulsi Manja e nxori sekretin. Ky është njeriu i pazareve bashkë me Edi Ramën. Ti ia the Gjushit. I gjithë Durrësi flet për ty. Ligji i thyhet 1 milionë herë. Ligji, shkelmohet për të ndihmuar së pari armiqtë e Shqipërisë duke nxjerrë në shesh të gjithë organigramën dhe të dhënat e SHISH,” tha Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Berisha bëri po ashtu të ditur se ndaj Manjës po përgatitet një dosje ndërkombëtare për krime elektorale.

Ministri nga ana tjetër, përsëriti qëndrimin e mbajtur nga shumica socialiste për arrestimet e bëra së fundmi mes radhëve të tyre. Manja theksoi se këto janë frytë të reformës në Drejtësi.

“Unë edhe ti të shkojmë para drejtësisë. Ti do të shkosh para meje. Më në fund reforma në Drejtësi, po prodhon rezultate të prekshme për qytetarët shqiptarë. Unë për këtë ditë kam pritur. Shoh që sot je ti më i shqetësuar se unë për këtë Drejtësinë e Re.”