Aktualitet I infektuar me Covid-19, Veliaj 3 ditë më parë takoi të moshuarit...

I infektuar me Covid-19, Veliaj 3 ditë më parë takoi të moshuarit pa maskë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pranoi sot se është i infektuar me Covid-19 dhe punën do ta vazhdojë nga shtëpia. Tani pritet që të nisë gjurmimi epidemiologjik te të gjithë ata persona që kanë patur kontakt me kryebashkiakun ditët e fundit.

Por ajo që ngre shqetësim është fakti se Veliaj nuk është kujdesur që të respektojë masat parandaluese për përhapjen e COVID-19. Tre ditë më parë ai ka pritur në takim një grup të moshuarish, ndërkohë që vetë nuk mbante maskë dhe doreza.

Duke qenë se simptomat shfaqen disa ditë me vonesë, rritet rreziku që Veliaj ta ketë patur virusin kur është takuar me të moshuarit, të cilët janë edhe grupmosha që preken më shpejt dhe shpesh herë kanë pasoja fatale nga COVID.

Vetë Veliaj ka bërë disa herë apel për respektimin e masave dhe mbajtjen e maskave, por në rastin konkret nuk i ka zbatuar ato.

Ditën e sotme, katër politikanë shqiptarë janë konfirmuar pozitivë. Fillimisht kryebashkiaku Erion Veliaj dhe pas tij, deputeti i dalë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni konfirmoi gjithashtu infektimin e tij. Pas Gjonit dhe Veliajt, mësohet se pozitivë nga pandemia e COVID-19 kanë rezultuar edhe deputetët Elio Hysko dhe Enver Roshi.