Kosova “I morën për t’i ruajtur në duar të sigurta”, reagon Lista Serbe...

“I morën për t’i ruajtur në duar të sigurta”, reagon Lista Serbe për mandatet në Kuvend

Të mërkurën, 10 deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe, kanë dhënë betimin sot në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë veprim të fundit, ka pasur edhe një reagim nga Lista Serbe ku nënvizohet se u bë për “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiç, Zoran Maksimoviç, Svetislav Gjokiç, Ksenija Bozhoviç, Radosh Mihajloviç, Bilana Makshiç, Milan Joksimoviç, Nenad Radenkoviç, Olivera Zdravkoviç dhe Cvetko Velkovië, nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dorëheqjet e deputetëve si dhe shumë zyrtarëve tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.