Sport Ibra një muaj jashtë fushave, humb edhe përballjet me United

Ibra një muaj jashtë fushave, humb edhe përballjet me United

Milani u rikthye te fitorja në kampionat, pasi triumfoi me shifrat 1-2 në transfertën kryeqytetase ndaj Romës, por lajmet nga infermieria nuk janë aspak të mira për teknikun e kuqezinjve, Stefano Pioli.

Kjo pasi Zlatan Ibrahimoviç, Hakan Calhanoglu dhe Ante Rebic lanë fushën e lojës para kohe në “Olimpico” për shkak të dëmtimeve, ndërsa sot kryen edhe ekzaminimet e nevojshme mjekësore për të verifikuar kohëzgjatjen e rikuperimit.

Kështu lajmet për sulmuesin 39-vjeçar suedez nuk janë aspak optimiste, pasi bëhet fjalë për një tërheqje muskulore në kofshën e majtë dhe gjendja e tij do të verifikohet pas 10 ditësh, teksa te Milani i druhen një ndalese të gjatë.

Tani është e sigurt që Ibra nuk do të jetë në dispozicion të Piolit për ndeshjet ndaj Udineses, Veronës, Napolit e Fiorentinës, por edhe në dy sfidat e Europa Leagues ndaj Manchester United, ndërsa rikthimi pritet në fillim të prillit, pas grumbullimit të kombëtareve.

Një dëmtim disi më të lehtë ka pësuar turku Calhanoglu, gjendja e të cilit do të verifikohet sërish në 2-3 ditët e ardhshme, por shpresat e Piolit janë që ta rikuperojë për ndeshjen e fundjavës ndaj Veronës.

Aspak shqetësuese situata me sulmuesin kroat Ante Rebiç, pasi ekzaminimet e sotme kanë konfirmuar thjesht një lodhje muskulore dhe futbollisti pritet të jetë në fushë që në ndeshjen e të mërkurës ndaj Udineses.