Sport Ibra nuk njeh limite, a mund të shkojë ky Milan përtej parashikimeve?

Ibra nuk njeh limite, a mund të shkojë ky Milan përtej parashikimeve?

Atje sipër, duke shijuar kryesimin e klasifikimit i vetëm, një ndjesi e bukur që Milani nuk e provonte që nga viti 2012. Një derbi i fituar pas një agjërimi që zgjaste që nga fillimi i 2016-ës dhe që do të thotë katër fitore në po kaq ndeshje të luajtura këtë kampionat.

Dhe për të gjetur një fillim të tillë duhet bërë një kapërcim i madh pas në kohë, pasi diçka e tillë nuk ndodhte që nga sezoni 1995-1996 me Fabio Capellon të ulur në stol.

Tani në stol është Stefano Pioli, që me dedikim ndaj punës, në heshtje dhe me krenari, ia doli të mbante një detyrë që pothuajse i ishte dorëzuar dikujt tjetër dhe e bëri Milanin një skuadër të vërtetë. Njerëzit e duhur në vendin e duhur dhe disiplinë taktike.

20 rezultate pozitive pas mbylljes prej koronavirusit dhe një seri prej 16 ndeshjesh pozitive radhazi nuk janë numra të rastësishëm. Por nëse ky Milan mund të shkojë përtej parashikimeve dhe ndoshta edhe përtej kapaciteteve reale, kjo i detyrohet edhe një lojtari pa moshë me emrin Zlatan Ibrahimovic.

Është një lloj “Benjamin Button”, siç i pëlqen ta quajë vetveten dhe shpirti i kuqezinjve, pavarësisht 39 viteve të mbushura pak javë më parë, sulmuesi suedez ka forcën, karikimin dhe shpirtin e sakrificës për të tërhequr grupin, brenda dhe jashtë fushe. Për të rinjtë është një mësues, një figurë referimi, për më të mëdhenjtë, një shembull për t’u imituar.

I dhuroi Milanit fitoren ndaj Interit me një dygolësh që i lejon të kapë Silvo Piolan si lojtari që ka shënuar numrin më të madh të ndeshjeve me më shumë se një gol në Serinë A pasi ka kaluar moshën 38-vjeçare, katër herë dhe njëkohësisht një shifër që e kurorëzon si lojtarin me moshë më të madhe që shënon në derbin e Milanos, (pasi ka kaluar Nils Liedholm, që në 1961 shënoi në moshën 38 vjeç, 5 muaj dhe 18 ditë.

Me dygolëshin e fundit Ibra shkon në kuotën e 8 golave të shënuar në derbin e Milanos në Serie A, (6 me Milanin dhe 2 me Interin). Këto janë numra dhe statistika, ndërsa Ibra dëshiron të vazhdojë të jetë më i miri dhe kaq, nuk e tremb asgjë, as Covid-19. Pasi rezultoi pozitiv dhe u shërua, është më i karikuar se kurrë dhe nuk do të ndalet.

“Kam qenë i mbyllur në shtëpi për dy javë, kisha shumë uri dhe e kam treguar me dygolëshin. Jam i zhgënjyer për penalltinë e gabuar, por e rëndësishme është që kemi fituar”, ka thënë suedezi.

Në lidhje me objektivin e sezonit: “I marrim ndeshjet me radhë. Kur kam ardhur unë këtu objektivi ishte të arrinim Europën dhe ia kemi dalë. Klubi do akoma këtë, por unë kam diçka tjetër në kokë dhe e mbaj për vete”.

Përtej supersticionit, Ibra madje guxon të flasë edhe për titullin, përse jo? “Sigurisht mund ta fitojmë titullin, ne kemi besim dhe të shohim si do të shkojnë gjërat në fund”.