Sport Ibrahimovic zgjedh formacionin më të mirë të bashkëlojtarëve të tij ne karrierë,...

Ibrahimovic zgjedh formacionin më të mirë të bashkëlojtarëve të tij ne karrierë, ka nga një përshkrim për secilin

Nëntë fanella të veshura në karrierën e tij (nga Malmoe te Milani), pa fund ndeshje të luajtura, një listë shumë e gjatë kampionësh me të cilët ka luajtur. Ose, siç do të thoshte ndoshta vetë suedezi, se kishin nderin të luanin përkrah tij. Për zgjedhjen e më të mirëve është kujdesur vetë Zlatan, i cili ka përpiluar ‘top 11’-shen e bashkëlojtarëve të tij në karrierë. Në radhë, pra, ata që numërojnë më shumë paraqitje me të.

Një ‘top 11’ klasike, ose më mirë, ‘top 10’, pasi ai padyshim do të rreshtohet në fushë. Ibrahimovic e hartoi atë, duke zgjedhur nga shokët e tij të karrierës, kur botoi librin “Unë jam futbolli” më 2018.

Në atë kohë ai nuk ishte kthyer ende te Milani për aventurën e dytë me kuqezinjtë. Kush e di nëse sot, në një përpjekje të re ndoshta do të përfshinte edhe “nxënësin” e tij, Leao. Ndërkohë, le të shohim 11-shen e zgjedhur nga vetë Zlatan, të cilët i rreshton me skemën 4-3-3:

Portieri: GIANLUIGI BUFFON

Luajtën së bashku te Juventusi, 2004-2006. Suedezi thotë për Buffon: “Në seancën time të parë stërvitore te Juventusi më duhej të merresha menjëherë me Buffon. Capello kishte vendosur të mbrohej lart. Fillimisht duhej të kapërceje të gjithë mbrojtjen dhe më pas të rrëshqisje mbi portierin më të fortë në botë. Një mision thuajse i pamundur në stërvitje për mua”.

Mbrojtësi i djathtë: LILIAN THURAM

Luajtën së bashku te Juventusi, nga viti 2004 deri më 2006. Suedezi thotë për Thuram: “Jo një gjigant, por i fortë si mermeri. Për të, çdo seancë stërvitore ishte si finale e Kupës së Botës. Prej dyluftimeve me të do të mbërrija në shtëpi i mbuluar me mavijosje. Ai ishte gjithmonë i mërzitur me mua, por nuk shfaqte asnjë hatërmbetje. Më thoshte: Ibra, ti je i ri dhe budalla, por do të mësosh”.

Qendërmbrojtësi: THIAGO SILVA

Luajtën së bashku te Milani, nga viti 2010 deri më 2012, dhe te PSG, nga viti 2012 deri më 2016. Suedezi thotë për Silva: “Mbrojtësi më i kompletuar me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Gjithmonë e kam krahasuar me veten; një Ibra në mbrojtje. Nëse do ta kisha mbas vetes, e dija se nuk duhet të shqetësohesha për atë që po ndodhte pas linjave”.

Qendërmbrojtësi: ALESSANDRO NESTA

Luajtën së bashku te Milani, nga viti 2010 deri më 2012. Suedezi thotë për të: “Mentori i Thiago Silvës; i kompletuar në nivel teknik dhe psikologjik, me një mentalitet të vërtetë fituesi. Nëse duhet të merrte një vendim në ndeshje, ai ishte gjithmonë i duhuri”.

Mbrojtësi i majtë: MAXWELL

Luajtën së bashku tek Ajax (2001-2004), Interi (2006-2009), Barcelona (2009-2010) dhe PSG (2012-2016) Suedezi thotë për brazilianin: “Lojtari më elegant me të cilin kam luajtur ndonjëherë. I pashoq për finesën teknike”.

Mesfushori i djathtë: PATRICK VIEIRA

Luajtën së bashku te Juventusi (2005-2006) dhe Interi (2006-2009). Suedezi thotë për të: “Patrick më bëri një futbollist më të mirë. Ai punonte si mushkë. Vraponte shumë dhe ngriti nivelin e të tjerëve me cilësinë e lojës dhe personalitetin e tij. Ai është sigurisht shoku i skuadrës që ka ndikuar më shumë në lojën time”.

Mesfushori i qendrës: XAVI

Luajtën së bashku te Barcelona në sezonin 2009-2010. Suedezi thotë për të: “Te Barcelona e quanin ‘Mister Perfect’. Ai kurrë nuk gaboi. Përsosmëria e mishëruar, ai donte të gjitha topat dhe më pas do t’i shpërndante aty ku duhej me precizion maksimal. Si ta fajësosh atë”.

Mesfushori i majtë: PAVEL NEDVED

Luajtën së bashku te Juventusi, nga viti 2004 deri më 2006. Suedezi thotë për të: “Një makineri, shembullor në stërvitje. Para dhe pas një seance stërvitore me shokët e skuadrës, në të cilën jepte gjithçka, ai stërvitej edhe vetëm. Nuk kam parë kurrë një profesionist më serioz”.

Sulmuesi i djathtë: LIONEL MESSI

Luajtën së bashku te Barcelona, në sezonin 2009-2010. Suedezi thotë për të: “Një lojtar i ‘Playstation’ iu dha hua botës sonë reale. Futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Ne ishim një çift i mrekullueshëm derisa trajneri vendosi të fuste hundët”.

Sulmuesi i majtë: RONALDINHO

Luajtën së bashku te Milani, në sezonin 2010-2011. Suedezi thotë për të: “Ai ishte një gjeni. Ju nuk luanit futboll me të, e shijonit lojën e futbollit. Ai bënte truke që madje i detyronin kundërshtarët të ndaleshin dhe ta duartrokisnin”.

Qendërsulmues: ZLATAN IBRAHIMOVIC

Suedezi për veten: “Nuk ka nevojë të thuash asgjë për të”.

Në stol:

Julio Cesar: “Aq i mirë teknikisht, sa mund të luajë në portë dhe jashtë portës”.

Andres Iniesta: “Ti i jepje topin dhe ai dinte si të kujdesej për të”.

Fabio Cannavaro: “Ai u përqendrua vetëm në një gjë: mos t’i shënonit dot gol”.

Gennaro Gattuso: “Ndoshta jo futbollisti më i mirë në botë, por i aftë t’i shtyjë të tjerët të japin 200 për qind”.

Clarence Seedorf: “Ai mund të bënte gjithçka”.