Sport Icardi në hije, Spalletti ngre zërin ndaj drejtuesve të Interit

Icardi në hije, Spalletti ngre zërin ndaj drejtuesve të Interit

Mauro Icardi po kthehet në një çështje te Interi. Sulmuesi argjentinas po kalon një moment të errët pasi nuk shënon në Serie A që nga sfida e javës së 15-të ndaj Udineses edhe aty me 11-metërsh.

Plot 7 takime pa gol dhe vetëm 9 realizime në këtë sezon të Serie A, janë shumë pak për Icardin që është shpallur në 2 raste kryegolashënues i Serie A.

Ngërçi i bomberit argjentinas përpara portës ka filluar pikërisht në momentin që klubi ka nisur bisedimet me lojtarin për rinovimin e kontratës aktuale, por rinovimi i shumëpritur nuk po vjen pasi akordi për pagën nuk është arritur ende dhe për këtë arsye në përfundim të ndeshjes ndaj Parmës ka qenë vetë trajneri zikaltër Luciano Spalletti, ai që ka ngritur zërin ndaj drejtuesve të Interit për ta zgjidhur sa më shpejt këtë çështje, pasi firma që nuk po vjen në kontratën e re ka ndikuar në paraqitjet e Mauritos në fushë.

“Mauro në krizë? Kjo është diçka që dallohet, por i përket një aspekti mbi të gjitha psikologjik. Unë di që ekziston një çështje (duke iu referuar rinovimit), e cila po tërhiqet zvarrë prej shumë kohësh. Mendoj se ka ardhur momenti që palët të ulen të flasin për të mirën e të gjithëve”, tha Spalletti pas fitores ndaj Parmës.

Icardi ka humbur shumë nga klasi i dikurshëm dhe për ta rikthyer atë në formë ideale që ti japë një ndihmë të madhe skuadrës, siç e tha edhe Spalletti duhen sqaruar disa gjëra pasi mund të krijohen mosmarrëveshje, tani topi kalon te presidenti Steven Zhang dhe të administratori i deleguar Beppe Marotta e ai sportiv Piero Ausilio.