Bota Ideja e një kancelari ambientalist pas Merkel po gjen përkrahje në Gjermani

Ideja e një kancelari ambientalist pas Merkel po gjen përkrahje në Gjermani

Një personalitet nga radhët e partisë së Gjelbërt për të pasuar kancelaren gjermane, Angela Merkel? Disa muaj më parë kjo as që mund të mendohej, pyetja ngrihet tashmë nisur nga avancimi i partisë ambientaliste në zgjedhjet europiane dhe dobësimit të partive tradicionale.

Asnjëherë më parë partia ambientaliste nuk ka patur kaq popullaritet në Gjermani. Me një rezultat të pazakontë prej 20,5% të votave në zgjedhjet europiane në fund të majit, ajo u rendit e dyta përpara partnerit në koalicionin qeverisës të kancelares, partisë social-demokrate (SPD).

Që nga ajo kohë, disa sondazhe të kryera në vend e kanë paraqitur “die Grünen” (Të Gjelbrit) me një rezultat shumë të ngushtë me partinë konservatore (CDU) të Angela Merkel, madje disa anketime e shfaqin përpara me vota, një admirim i paprecedentë për këtë parti të vogël me vetëm 80.000 anëtarë, ndërkohë që dy partitë më të mëdha të vendit i tejkalojnë të 400.000.

Me ngrohjen klimatike një çështje që ka marrë gjithë vëmendjen e opinionit publik, kryesisht në sajë të rinjve që manifestojnë me sloganin “Fridays for future”, Të Gjelbrit zotërojnë diçka që partitë e tjera e kanë humbur, imazhin dhe një qëndrim të qartë, thuhet në një koment të gazetës rajonale të së shtunës “Rhein-Zeitung”.

Sipas shumë analistëve, çështja më e rëndësishme sot është se cili do të marrë drejtimin e vendit nga dy liderët Robert Habeck apo Annalena Baerbock, sesa nëse një i Gjelbërt do të arrijë postin më të lartë në Gjermani.