Extra Ideja kreative: Pse ky restorant postkarantinë do të mbushet me manekinë

Ideja kreative: Pse ky restorant postkarantinë do të mbushet me manekinë

Një restorant me tre yje Michelin në Virxhinia kur të rihapë dyert pas mbylljes për shkak të pandemisë Covid-19, do të ketë në tavolina edhe manekinë.

The Inn në Little Washington, një restorant i vendosur në pjesën perëndimore të Washington DC, po planifikon të rinisë aktivitetin e tij me datë 29 maj, por me tavolina të vendosur në pjesën e jashtme sipas protokolleve shëndetësore të përcaktuara nga qeveria.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i restorantit, Charlie Dougiello.

Si pjesa më e madhe e restoranteve në SHBA, stafi i këtij restoranti po përpiqet sesi të sigurojë kushtet për të ngrënë si më parë, ndërsa duhet të zbatojë masat për të mbajtur klientët të sigurtë.

Pra, për të mbushur restorantin, i cili do të funksionojë me një kapacitet prej 50% për arsye të masave të marra për veçim shoqëror, stafi kreativ, natyrisht ka menduar për manekinët.

“Unë gjithmonë kam pasur një pasion të veçantë për manekinët. Ata kurrë nuk ankohen për asgjë dhe ju mund të argëtoheni shumë duke i veshur”, tha kuzhinieri dhe pronari i The Inn, në Little Washington, Patrick O’Conell në një deklaratë.

“Manekinët do të vendosen në tavolina midis klientëve me idenë për të ruajtur veçimin shoqëror, ata do të duken të buzëqeshur dhe të veshur mirë”, tha Charlie Dougiello.

Manekinet do të shfaqen si çifte të veshur me një stil të viteve 1940, si për të shkuar në një festë të pas Luftës së Dytë Botërore.