Kryesore Igli Tare, apel opozitës në “RAI”: Kemi vuajtur shumë në të kaluarën...

Igli Tare, apel opozitës në “RAI”: Kemi vuajtur shumë në të kaluarën dhe njerëzit tanë meritojnë çdo të mirë

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka ndarë të njëjtin qëndrim me tenorin shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu lidhur imazhin negativ të akteve të dhunës në protestat e opozitës, kryesisht ajo e 16 shkurtit.

I ftuar në emisionin ‘Porta a Porta’ të gazetarit Bruno Vespa, kushtuar situatës aktuale politike në Shqipëri, Tare thotë se shpreson se opozita të kthehet në parlament dhe të zgjidhë aty problemet.

Tare: “Shpresoj që opozita të kthehet në parlament për të diskutuar problemet që kemi.

Dy ditë më parë kam lexuar një intervistë nga një artist i njohur shqiptar, i cili duke iu referuar imazhit të një gome të djegur përpara parlamentit, deklaronte se do ti duheshin të paktën 200 koncerte për të pastruar imazhin e vendit.

Mendoj të njëtën gjë, Shqipëria ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe njerëzit tanë meritojnë çdo të mirë.

Ne jemi pro Europës dhe në rritje, kështu që problemet duhet të zgjidhen në shtëpi dhe me përgjegjësi të madhe”.

Para kryeministrit Edi Rama,  Igli Tare solli edhe eksperiencën e tij personale në emigracion.

Tare: “Unë fatkeqësisht nuk jam pjesë e atij brezi që erdhi direkt në Itali.

Në 1992 shkova së pari në Gjermani, hyra ilegalisht dhe kërkova rrugën për sukses.

Ardhja në Itali dhe të luaj për të ka qenë gjithmonë ëndrra ime, të cilën arrita ta realizoj me kalimin e kohës.

E gjej veten shumë mirë në këtë vend.

Në të njëjtën kohë unë e dua vendin tim dhe jam i shqetësuar për atë që po ndodh.

Për ata që janë si unë dhe që janë larg nga populli ynë, imazhi që japim jashtë është shumë i rëndësishëm dhe kështu përpiqemi të bëjmë pjesën tonë.

Ne gjithashtu shpresojmë që njerëzit në Shqipëri do të jenë të përgjegjshëm sepse ka pasur progres vitet e fundit dhe ne duhet të japim një sinjal të fortë për të gjithë botën “.