Sport Igli Tare, Donnarumma…. Kush vjen dhe kush ikën nga Milan

Igli Tare, Donnarumma…. Kush vjen dhe kush ikën nga Milan

Kur jemi rreth një muaj larg grumbullimit të skuadrave për sezonin e ri, te Milani shumë gjëra janë rrëmujë dhe kuqezinjtë presin të kalojnë një verë të gjatë dhe shumë intensive, për të ristrukturuar ekipin.

Kështu momentalisht administratori Ivan Gazidis ka gjetur vetëm drejtorin teknik, që do të jetë Paolo Maldini, ndërsa të dy së bashku po punojnë për të emëruar sa më shpejt një Drejtor Sportiv, që do të punojë për merkaton.

Emri kryesor në listë është ai i Igli Tares, por shqiptari vështirë se mund të largohet nga Lazio, ndërsa dyshja Maldini-Gazidis po studiojnë edhe alternativa të tjera si Rui Costa apo Ariedo Braida.

Hapi i radhës është emërimi i trajnerit, që me 99% do të jetë ai i Sampdorias, Marco Giampaolo, i cili pëlqehet si nga Gazidis, ashtu edhe nga Maldini, ndërsa në Itali pretendojnë se marrëveshja mes palëve është arritur tashmë.

Pasi të jenë plotësuar edhe këto dy hallka kyç në për një skuadër futbolli, atëherë do të nisë puna për merkaton, ku do të vlerësohet edhe përshtatja e futbollistëve me skemën 4-3-1-2, që përdor Giampaolo.

Aktualisht Milani është liruar nga emra si Zapata, Abate, Montolivo e Bertolaci, ndërsa ka refuzuar blerjen e Bakayoko, duke ulur kështu zërin e pagave në bilancin e klubit, ndërsa hapi i radhës do të jetë merkatoja në dalje.

Kështu Gigio Donnarumma ndiqet me interes nga Paris Saint Germain dhe Gazidis do të ishte pro një marrëveshjeje nga e cila Milani mund të arkëtojë rreth 60 milionë euro dhe njëkohësisht të lirohet nga paga 6 milionëshe e portierit dhe një milionëshe e të vëllait të tij.

Një tjetër futbollist që mund të lërë kuqezinjtë këtë verë, është spanjolli Suso, i cili vështirë se mund të gjejë veten në skemën e Giampaolos, pasi është një sulmues anësor. Edhe ky mund të përmirësonte bilancin e kuqezinjve, pasi vlera e kartonit të tij është rreth 40 milionë euro.

Emra të tjerë në listën dalëse janë argjentinasi Biglia, i cili fiton shumë dhe ka një moshë relativisht të madhe, uruguaiani Laxalt, spanjolli Castillejo, kroati Strinic, Jose Mauri e portugezi Andre Silva, të gjithë jashtë planeve të trajnerit të ri.

Nga skuadra aktuale pritet të shpëtojnë portieri Pepe Reina, qendërmbrojtësit Romagnoli, Caldara e Musacchio, anësorët Calabria, Conti e Rodriguez, mesfushorët Calhanoglu, Bonaventura, Kessie e Paqueta, si dhe sulmuesit Cutrone e Piatek.

Këta emra janë të përshtatshëm jo vetëm në aspektin teknik, që përshtaten me skemën 4-3-1-2 të Giampaolos, por edhe në atë financiar, pasi janë futbollistë kryesisht të rinj, që nuk kanë paga të larta.

Sa u përket afrimeve, kushti i parë dhe i panegociueshëm i Gazidis është që të vijnë futbollistë me pagë më pak se 3 milionë euro. Kriteri tjetër është ai i moshës, pasi vëmendja do të përqendrohet kryesisht te futbollistët nën 25 vjeç, që garantojnë të tashmen dhe të ardhmen.

Në mbrojtje Giampaolo do të provojë të marrë me vete danezin Joachim Andersen, i cili ka bërë një sezon mjaft të mirë te Sampdoria këtë vit, ndërsa në të majtë do të tentohet Mario Rui, i cili pritet të largohet nga Empoli.

Pas largimeve të Montolivos, Bertolacit dhe Bakayokos, por edhe më një ikje të mundshme të Biglias, Milani ka nevojë për një futbollist që të luajë përpara mbrojtjes dhe në fokusin e kuqezinjve janë mesfushori i Sassuolos, Sensi dhe ai i Brescias Tonali.

Në sulm Giampaolo dëshiron Patrick Schick, të cilin e ka stërvitur edhe te Sampdoria, në vitin e parë të çekut në Itali, ndërsa kuqezinjtë kanë hedhur idenë e një shkëmbimi me portugezin Andre Silva, i cili nuk bën pjesë në planet e milanezëve.

Të gjitha këto lëvizje, drejtuesit e Milanit duhet t’i bëjnë duke filluar nga tani e deri në startin e sezonit të ardhshëm, për të tentuar të stabilizojnë gjendjen sportive dhe financiare të skuadrës, që ka kaluar shumë peripeci vitet e fundit.