Ekonomi Ikën dhe e katërta, Bankës së Kreditit i hiqet licenca, Shqipëria bëhet...

Ikën dhe e katërta, Bankës së Kreditit i hiqet licenca, Shqipëria bëhet me 12 banka

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e fundit revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a., për shkak të fillimit të procesit të likuidimit vullnetar nga ana e vetë bankës. Largimi I kësaj banke e çon numrin e tyre në sistemin bankar shqiptar në 12, nga 16 që ishte një vit më pare, pas largimeve të mëparshme të NBG, Veneto bank (të finalizuara) dhe ICB (kjo e fundit ende në proces).

Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë mjaft aktiv në drejtim të shitjeve e blerjeve. 2018-a u mbyll me 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit, pasi banka greke NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, në linjë me të njëjtin proces të bankave mëmë në Itali.

Ndërkohë, Union Bank është në proces të finalizimit të blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB), që pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke e çuar numrin e bankave në 12.

Transaksione të tjera ishin blerja e Societe Generale nga hungarezët e OTP-së, të cilët kanë hyrë tashmë në tregun shqiptar dhe tashmë banka është shndërruar në OTP bank Albania.

Në proces finalizimi është dhe blerja e Tirana Bank, nga grupi shqiptar Balfin nga grekët e Bankës së Pireut, të cilët hoqën dorë nga rajoni, pas krizës që mbërtheu sistemin bankar grek. Tirana bank do të vijojë të ruajë identitetin e saj (të mbajë të njëjtin emër) dhe pas ndryshimit të pronësisë.

Banka e Kreditit me aktivitet minimal

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka filluar aktivitetin e saj që vitin 2003, me një grup aksionerësh kuvajtianë (AlKharafi), të cilët më parë kishin në zotërim edhe hotel Sheraton në Shqipëri, nga i cili hoqën dorë mëse një vit më parë, kur ia shitën grupit shqiptar Kastrati.

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka pasur historikisht një aktivitet tepër minimal dhe të papërfillshëm  në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të 2018-s, banka zotëronte vetëm 0.08% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Banka nuk ka dhënë kredi dhe depozitat në të janë sa 0.01% e totalit të depozitave të gjithë sistemit, në fund të 2018-s.

Si rrjedhojë, dalja e saj nga tregu nuk pritet që të ketë asnjë efekt në sistemin bankar, përveç uljes së numrit të tyre, shkruan Monitor.