Politika “Iku jeta jonë. Për dritat vijnë të parët, për ndihma asnjëri”

“Iku jeta jonë. Për dritat vijnë të parët, për ndihma asnjëri”

“Familja e Lindita Bashës në Fushë Mamurras, si shumë familje të prekura nga tërmeti në Durrës, Laç, Lezhë, Manzë, Ishëm është braktisur nga qeveria. Çadra prej plasmasi ku familja e saj jeton, rrëzon propagandën dhe mashtrimin me 5 yje të Edi Ramës. Shteti është inekzistent për familjet si e Lindita Bashës”.

Kështu e nis postimin e saj, Partia Demokratike teksa në rrjetet sociale ka hedhur një video-dëshmi që sipas selisë blu tregon braktisjen e qeverisë.

Lindita Basha, banore e Fushë Mamurrasit, shprehet se 3 javë pas tërmetit askush nuk ka shkuar ta shikojë se në çfarë gjendje ndodhet familja e saj edhe pse faza e emergjencës ka kaluar.

Ajo shprehet se as komisioni i verifikimit nuk ka shkuar të vlerësojë dëmet e banesës, e cila pas tërmetit është shndërruar në një rrezik për jetën e familjes. Për të mos rënë tavani, familja Basha ka vendosur një hekur në mes të dhomës.

“Unë quhem Lindita Basha. Jam veti i 4. Ndihma me zor kam marrë nja 4 pako të vogla atë ditë që janë shpërndarë. thashë “a kam emër?” “S’ke” më thanë. Por unë jam banore e Fushë Mamurrasit. si nuk kam emër unë? Për dritat vijnë të parët tek unë, për ndihma asnjëri. Edi Rama pa nja 4-5 shtëpi, çoi ndihma. Tek unë nuk erdhi njeri me thënë a je gjallë, a je vdek? Asnjëri nuk ka ardhur, as komisioni verifikimit. Brenda nuk rrihet. Kam frikë minutë pas minutë bie tavani poshtë. Kam vënë një hekur që të mos u bjerë fëmijëve. Iku jeta jonë. Vetëm tek unë nuk ka ardhur unë. Unë asnjë nuk e kam marrë. Unë për vete kam mbaruar… vetëm se rri në këmbë”, thotë Lindita Basha.